Qytetarët në Zvicër po përballen me kosto të reja shtesë gjatë marrjes së ilaçeve me recetë në farmaci, një ndryshim që ka shkaktuar reagime dhe pakënaqësi te shumë pacientë. Që nga 1 janari 2026, ka hyrë në fuqi sistemi i ri tarifor LOA V, i cili parashikon faturim më të detajuar për shërbimet që farmacitë kryejnë gjatë shpërndarjes së barnave.
Një 51-vjeçar nga Cyrihu tregoi për mediat zvicerane se pas një vizite te dentisti, kishte shkuar në një farmaci Medbase për të marrë ilaçin e përshkruar. Përveç çmimit prej 43 frangash për ilaçin, në faturë iu shtuan edhe rreth 13.27 franga për kontrolle sigurie dhe këshillim farmaceutik.

Sipas tij, farmacisti i kishte bërë pyetje lidhur me alergjitë, intolerancat dhe gjendjen shëndetësore, megjithëse këto informacione ishin diskutuar më herët me dentistin. Ai tha se nuk ishte informuar paraprakisht për kostot shtesë dhe se këtë e konsideron mungesë transparence ndaj pacientëve.
Shoqata e Farmacistëve Zviceranë, Pharmasuisse, ka sqaruar se tarifat janë të standardizuara në të gjithë Zvicrën dhe janë miratuar nga Këshilli Federal. Sipas tyre, kontrollet e sigurisë janë të domosdoshme për të shmangur rreziqet nga ndërveprimet mes ilaçeve, dozat e pasakta apo problemet shëndetësore të pacientëve.
“Kontrolli i sigurisë së barnave” përfshin verifikimin e dozës, mënyrës së përdorimit dhe rreziqeve të mundshme, ndërsa “kontrolli i sigurisë së pacientit” analizon përputhshmërinë e ilaçeve të reja me terapitë ekzistuese.
Megjithatë, shumë qytetarë po kërkojnë më shumë transparencë nga farmacitë, duke insistuar që pacientët të informohen paraprakisht për çdo tarifë shtesë para se të marrin shërbimin.


