Zvicra drejt krizës së burgjeve: Të dënuarit mund të zëvendësojnë qelinë me punë komunitare

Burgjet në Zvicër drejt mbipopullimit – Berna kërkon punë komunitare në vend të burgosjes

Burgjet në Zvicër po përballen me mbipopullim në rritje, ndërsa autoritetet dhe organizatat civile po kërkojnë alternativa ndaj burgosjes për personat që nuk mund të paguajnë gjobat. Një iniciativë e re nga Kantoni i Bernës propozon që dënimet zëvendësuese me burg të shlyhen përmes punës në shërbim të komunitetit dhe jo pas hekurave.

Reklame

Aktualisht, personat që kapen vazhdimisht pa biletë në transportin publik dhe nuk paguajnë gjobat mund të përfundojnë në burg. Kjo praktikë ka shkaktuar reagime të forta nga organizatat për të drejtat civile. Shoqata “Freiheitsentzugskritik” ka nisur një peticion ku u kërkon kompanive të transportit publik të ndalojnë kallëzimet penale ndaj personave që nuk kanë mundësi financiare të paguajnë biletat.

Paralelisht, po zhvillohet edhe një fushatë për mbledhje fondesh me qëllim lirimin e të burgosurve që ndodhen pas grilave vetëm për shkak të gjobave të papaguara.

Në planin politik, debati është rikthyer fuqishëm. Vetëm në muajin mars, Këshilli Kombëtar refuzoi një propozim të deputetes Jessica Jaccoud nga Partia Socialiste, e cila kërkonte heqjen e burgimit si zëvendësim për gjobat deri në 5 mijë franga. Megjithatë, Këshilli Federal kishte shprehur mbështetje të përgjithshme për idenë.

Tani, Kantoni i Bernës – ku burgjet funksionojnë me 103 për qind të kapacitetit – po kërkon ndryshime ligjore që do të lejonin kryerjen e dënimeve të shkurtra përmes punës komunitare. Sipas autoriteteve kantonale, burgosjet e shkurtra krijojnë barrë të madhe financiare dhe sociale, pa sjellë përfitime reale në uljen e kriminalitetit.

Një natë në burg në Zvicër kushton mes 200 dhe 400 franga, ndërsa kostot vjetore arrijnë në dhjetëra miliona franga. Autoritetet besojnë se puna në komunitet jo vetëm që ul shpenzimet, por ndihmon edhe në riintegrimin social të personave të dënuar dhe zvogëlon rrezikun e rikthimit në shkelje.

By admin