Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe periudha me diell. Në rajonet skajore perëndimore dhe lindore do të ketë kushte për reshje të dobëta lokale shiu, përcjell TV21. Do të fryjë erë mesatare, ndërsa përgjatë Vardarit erë e përforcuar nga drejtimi verior me shpejtësi deri në 50 kilometra në orë, njofton Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.
Temperatura minimale do të jetë nga 5 deri në 13 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 19 deri në 26 gradë Celsius.
Në Shkup moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe periudha me diell. Do të fryjë erë mesatare, ndërsa në disa pjesë të luginës herë pas here erë e përforcuar nga veriu. Temperatura minimale do të zbresë deri në 9 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë deri në 24 gradë.
Në ditët në vijim do të vazhdojë moti me vranësira të ndryshueshme. Do të fryjë erë mesatare deri e përforcuar nga veriu, me shpejtësi mbi 50 kilometra në orë. Të enjten do të ketë paraqitje të izoluar të motit jostabil me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të fuqishme. Të premten dhe gjatë fundjavës së zgjatur në më shumë vende moti do të jetë jostabil me reshje të rrëmbyeshme, bubullima dhe erë të fortë. Lokalisht proceset do të jenë më intensive në formë stuhie, me reshje më të dendura shiu mbi 20 litra për metër katror, bubullima dhe erë të fuqishme mbi 60 kilometra në orë.


