MPB: Bajrami u dorëzua në pikën kufitare “Bllacë”, është dërguar në burgun e Shutkës

Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, sot është dorëzuar në pikën kufitare “Bllacë”, përcjell TV21. Nga MPB thonë se i njëjti është dorëzuar në burgun e Shutkës.

“Sot (09.09.2026), në orën 05:35, në PK Bllacë e Poshtme për hyrje në RMV është paraqitur Përparim Bajrami (33), i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar sipas urdhrit të PTHP Shkup nr. XVII KO nr. 4232/24 të datës 17.12.2024. Personi është privuar nga liria dhe është shoqëruar në Institucionin Ndëshkimor-Përmirësues Burgu Shkup”, njofton MPB.

Bajrami për më shumë se një vit ishte i pakapshëm për organet e ndjekjes, është dorëzuar mëngjesin e sotëm dhe është privuar nga liria, përcjell TV21. Bajrami, i cili dyshohet për përvetësim dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare në rastin “Lotaria Shtetërore”, është paraqitur vetë te organet kompetente.

Për të ishte shpallur fletarrestim ndërkombëtar. Ai, së bashku me ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi, është ndër të dyshuarit kryesorë për keqpërdorimet në Lotarinë Shtetërore.

Gjatë ditës priten më shumë detaje nga Ministria e Punëve të Brendshme. Përveç Grubit dhe Bajramit, në rastin “Lotaria Shtetërore” janë të akuzuar edhe Metodija Dimevski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski, Aleksandar Dimitrioski dhe Bashkim Avdiu.

Në gjykimin që nisi këtë javë, të gjithë të akuzuarit u deklaruan se nuk e pranojnë fajësinë, përveç Bajramit, i cili ishte i pakapshëm për organet e ndjekjes, dhe të akuzuarit Bashkim Avdiu, i cili deklaroi se nuk e kupton aktakuzën dhe kërkoi që ajo t’i dorëzohet me shkrim në gjuhën e tij amtare, shqipe.

Aktakuza, të cilën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, i referohet veprimeve të ndërmarra gjatë viteve 2023 dhe 2024, me të cilat të akuzuarit dyshohet se kanë tejkaluar kompetencat zyrtare dhe i kanë shkaktuar dëm Lotarisë Shtetërore në vlerë prej 596.125.511 denarësh.