Murseli në Këshillin e Butelit: Arsimi nuk guxon të jetë peng i politikës

Këshilltari komunal Armend Murseli ka ngritur sërish shqetësime në seancën e 12-të të Këshillit të Komunës së Butelit, duke kërkuar kësaj radhe depolitizimin e arsimit.

Gjatë shqyrtimit të raporteve vjetore të shkollave fillore, Murseli veçoi rastin e SHFK “Liman Kaba”, ku, sipas tij, brenda një viti janë bërë disa emërime dhe riemërime të ushtruesve të detyrës së drejtorit.

Sipas tij, ndryshimet e shpeshta në drejtimin e shkollës kanë sjellë jostabilitet në menaxhim, pasiguri te arsimtarët dhe nxënësit, si dhe kanë ndikuar negativisht në cilësinë e procesit arsimor. Ai kërkoi sqarime se pse po zvarritet konkursi për emërimin e një drejtori me mandat katërvjeçar.

“Mesazhi im është i qartë: Larg duart e politikës nga arsimi. Shkollat nuk janë shtabe partiake e as vend ku mund të eksperimentohet politikisht. Ato janë institucione ku ndërtohet e ardhmja e fëmijëve tanë. Arsimi duhet të udhëhiqet nga profesionalizmi dhe ligji, në interes të nxënësve, e jo të interesave politike”, u shpreh Murseli.

By admin7