Nga dëshmitarë në të dyshuar – arrestohen tre persona për vjedhjen e 32 mijë eurove

Policia ka arrestuar tre persona lidhur me vjedhjen e 32 mijë eurove nga një kasafortë në Mazgit të Obiliqit, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.

Burimet bëjnë të ditur se në pranga kanë përfunduar:

Reklame

Florent Berisha (27-vjeçar)

Andin Kurteshi (23-vjeçar)

Rexhep Hashani (35-vjeçar)

Rasti ishte raportuar më 12 maj 2026 nga B.B. (45-vjeçar), i cili kishte deklaruar se nga depoja e punëtorisë së tij ishin vjedhur 32 mijë euro para të gatshme, të ruajtura në një kasafortë.

Sipas informatave, paratë ishin kursime nga biznesi familjar.

Sinjali mëson se fillimisht tre të dyshuarit ishin intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve ditën kur ishte raportuar rasti, por pas zhvillimit të hetimeve nga njësia hetimore e stacionit policor, dyshimet janë orientuar pikërisht ndaj tyre.

Gjatë procedurave policore janë sekuestruar edhe dy telefona celularë të të dyshuarve, të cilët do t’i nënshtrohen ekzaminimeve.

Me vendim të Prokurorit kujdestar, të tre janë ndaluar për 48 orë dhe janë dërguar në Qendrën e Ndalimit në Mitrovicën e Jugut.

Rasti po hetohet si:

“Vjedhje e rëndë”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

By admin1