Nga e hëna, të gjitha shkollat fillore në Komunën Gazi Babë do ta nisin javën me himnin shtetëror

Nga e hëna, nxënësit e shkollave fillore në Komunën e Gazi Babës do ta nisin javën shkollore me intonimin e himnin shtetëror. Kryetari i komunës, Boban Stefkovski, konfirmoi se vendimi i miratuar nga Këshilli i Komunës do të fillojë të zbatohet në të gjitha shkollat fillore në territorin e Gazi Babës.

“Nga e hëna duhet të fillojë zbatimi i këtij vendimi. Vendimi do të vlejë për të gjitha shkollat që funksionojnë në territorin e Komunës së Gazi Babës”, tha Boban Stefkovski, kryetar i Komunës Gazi Babë.

Stefkovski tha se bëhet fjalë për të njëjtin vendim të miratuar në vitin 2023 dhe se, sipas tij, ai është mirëpritur nga qytetarët dhe prindërit e kësaj komune.

“Bëhet fjalë për të njëjtin vendim që është marrë më herët, sipas të cilit të gjitha shkollat duhet ta zbatojnë atë. Më gëzon fakti që, si në komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët, ashtu edhe me prindërit, ky vendim është mirëpritur, pasi himni kombëtar është një nga simbolet dhe shenjat kryesore që përfaqësojnë identitetin, historinë dhe sovranitetin e një shteti”, theksoi Boban Stefkovski, kryetar I Komunës Gazi Babë.

Nga Këshilli i Gazi Babës, kundër vendimit është shprehur publikisht këshilltarja e Aleancës për Shqiptarët Makfire Iseni, e cila e ka cilësuar atë si përpjekje për të mbuluar, sipas saj, problemet në arsim në këtë komunë.

Ditë më parë, kryeministri Hristijan Mickoski u ka bërë thirrje komunave të tjera ta ndjekin shembullin e Gazi Babës dhe ta respektojnë intonimin e himnit shtetëror në shkolla. Ai ka thënë se nuk është kundër intonimit të himnit shqiptar në komunat me shumicë shqiptare, por ka theksuar se ai duhet të intonohet bashkë me himnin shtetëror.

Vendime për intonimin e himnit shtetëror në shkolla janë marrë edhe në disa komuna të tjera, ndërsa në vitin 2024 Ministria e Arsimit kishte propozuar që himni të intonohej në fillim dhe në përfundim të vitit shkollor edhe në arsimin e mesëm. Propozimi u tërhoq pas kundërshtimeve të partive shqiptare në Kuvend./Alsat.mk