Nga Shkupi në Tiranë: Studentët shqiptarë bashkë në mbrojtje të dinjitetit kombëtar!

Tirana sot u bë qendra simbolike e solidaritetit dhe unitetit mbarëshqiptar, duke bashkuar studentë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria në një zë të përbashkët për mbrojtjen e të drejtave themelore kombëtare dhe njerëzore.

Pas dy protestave studentore në Shkup, sot studentët e Shqipërisë dolën në mbështetje të kolegëve të tyre shqiptarë, duke dëshmuar se çështjet që prekin gjuhën shqipe, identitetin kombëtar dhe dinjitetin qytetar nuk janë probleme të një pjese të shqiptarëve, por përgjegjësi e përbashkët e gjithë kombit.

Reklame

Ky mobilizim i brezit të ri po hap horizonte të reja bashkëpunimi ndërshqiptar, duke forcuar lidhjet shpirtërore, kulturore dhe kombëtare mes shqiptarëve kudo që jetojnë. Përtej kufijve politikë, studentët po japin një mesazh të qartë se uniteti, solidariteti dhe vetëdija kombëtare janë themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja.

Në një kohë kur shqiptarët historikisht janë ndarë padrejtësisht në disa shtete, kjo frymë bashkimi përfaqëson ngritjen e vetëdijes kombëtare të një populli që ruan gjuhën, kulturën dhe identitetin e vet me krenari dhe përgjegjësi.

Zëri i studentëve shqiptarë sot nuk është vetëm zëri i një gjenerate, por zëri i së ardhmes së shqiptarëve dhe i një Ballkani Perëndimor më demokratik, më të barabartë dhe më të bashkuar në respektin reciprok mes popujve.

By admin7