Deti “vlon” në Mallorkë – Pushuesit ankohen: “Sikur po notojmë në ujë të ngrohtë”

Mallorkë – Pushuesit në ishullin spanjoll të Mallorkës po përballen me një fenomen të pazakontë këtë verë. Deti Mesdhe është ngrohur aq shumë, sa në disa zona temperatura e ujit ka arritur nivele rekord, duke mos ofruar më freskinë që turistët presin gjatë ditëve me vapë.

Sipas të dhënave të autoriteteve portuale spanjolle Puertos del Estado, temperatura më e lartë është regjistruar në Port de Pollença, në veri të ishullit, ku uji ka arritur 31.7 gradë Celsius. Në Andratx janë matur 29.9 gradë, ndërsa në Playa de Palma rreth 29.6 gradë Celsius.

Revista Mallorca Magazin raporton se shumë turistë, veçanërisht vizitorë gjermanë, janë shprehur të habitur nga temperatura e lartë e detit.

“Deti është tepër i ngrohtë. Kjo nuk është normale!”, kanë deklaruar disa pushues në plazhin e Can Pastilla.

Një turiste gjermane tha se ishte përpjekur të notonte më larg bregut me shpresën se uji do të ishte më i freskët, por pa sukses.

“Notova më larg, por uji nuk u bë aspak më i ftohtë,” është shprehur ajo.

Reagime të ngjashme janë raportuar edhe në plazhet Cala Major dhe Sol de Mallorca, ku pushuesit thonë se deti ka marrë “temperaturën e një vaske”, duke e bërë të vështirë gjetjen e freskisë edhe në ujë.

Ekspertët e lidhin këtë fenomen me valët e të nxehtit dhe rritjen e temperaturave të Detit Mesdhe, të cilat janë bërë gjithnjë e më të shpeshta vitet e fundit si pasojë e ndryshimeve klimatike.

Temperatura kaq të larta të ujit jo vetëm që ndikojnë në përvojën e turistëve, por mund të kenë pasoja edhe për ekosistemin detar, duke rritur stresin për shumë specie dhe duke favorizuar përhapjen e organizmave invazivë.

By admin