PDK reagon ndaj deklaratës së ambasadorit britanik: Mos e reduktoni dhe mos e relativizoni me gjuhë diplomatike aktgjykimin e Hagës

“Deklarata e ambasadorit britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves se aktgjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe themeluesve të Republikës së Kosovës ka të bëjë me “krime individuale” është një reduktim i papranueshëm diplomatik i një vendimi me pasoja të gjera historike e politike për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.”

Kështu thuhet në një reagim zyrtar të Partisë Demokratike të Kosovës.

Në arsyetimin e Dhomave të Specializuara, UÇK trajtohet në kuadër të konceptit të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, ndërsa Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, sipas konstatimeve të aktgjykimit, janë shpallur përgjegjës për kontributin e tyre në të ashtuquajturin qëllim të përbashkët kriminal të UÇK-së.

Po të njëjtit, është fakt i njohur se ishin edhe ndër bashkëpunëtorët kryesorë të NATO-s gjatë bombardimeve të caqeve serbe në vitin 1999.

Sipas PDK-së, të thuash se bëhet fjalë për “krime individuale” nuk e pasqyron peshën e dëmshme të këtij verdikti për Kosovën.

Mes të tjerash, në reagimin e partisë thuhet:

Asnjë gjuhë diplomatike nuk mund ta ndryshojë përmbajtjen e papranueshme të këtij aktgjykimi dhe as pasojat e tij në mënyrën se si interpretohet lufta e UÇK-së dhe historia e Kosovës.

Drejtësia ndërkombëtare, fatkeqësisht, sot në Kosovë po perceptohet vetëm si instrument politik për të përcaktuar se cilat figura politike të Kosovës duhet të largohen nga skena politike dhe cilat duhet të mbështeten, sepse Dhomat e Specializuara janë bërë shembulli më i dukshëm i abuzimit politik në emër të drejtësisë.

Kosova e vlerëson rolin historik të Britanisë së Madhe në çlirimin dhe konsolidimin e shtetit tonë, por kritikat ndaj funksionimit të Dhomave të Specializuara janë ngritur edhe nga ekspertë dhe organizata britanike të të drejtave të njeriut. Bar Human Rights Committee of England and Wales ka ngritur shqetësime serioze lidhur me standardet e procesit dhe funksionimin e Dhomave të Specializuara.

Këto shqetësime nuk duhet të injorohen nga shtetet që e mbështesin dhe e financojnë këtë institucion, sidomos nga Britania e Madhe.

Partia Demokratike e Kosovës do ta kundërshtojë çdo interpretim që shtrembëron të vërtetën historike të luftës në Kosovë. Këtë do ta bëjmë me çdo mjet demokratik, politik dhe juridik, në institucione dhe në çdo hapësirë demokratike ku duhet të dëgjohet zëri i qytetarëve tanë, siç po dëgjohet edhe tani gjithandej botës.

Nuk lejojmë që historia e Kosovës të rishkruhet. Të ardhmen e Kosovës e përcaktojnë vetë qytetarët e saj.