Lirim Mehmetaj:
Populli i Kosovës edhe njëherë tjetër e ka shpëtuar Kosovën nga politikanët, duke shpalosur sërish një fakt të rëndësishëm se ka nervin demokratik më të zhvilluar në Ballkan.
Nga rezultatet preliminare, del se qindra mijëra votues kanë hequr dorë nga Albin Kurti për shkak të politikës së tij të ndytë ku energjia koncentrohet jo rreth punës, po rreth kampanjave të smirës, frikës, urrejtjes e përçarjes, por ata nuk i janë dorëzuar as politikave apatike, përtace, e të plogështa të partive opozitare.
Prejse Kosova mban zgjedhje të lira nuk ekziston një politikan tjetër që populli e ka shpërblyer me votë sa Albin Kurtin dhe paradoksalisht nuk ekziston asnjë tjetër politikan përveç Albin Kurtit që e ka përbuzur kaq shumë këtë votë të popullit.
Është krejtësisht e çuditshme, gati enigmatike, përse Albin Kurti i përçmon kaq shumë njerëzit që e votojnë? Ai sillet me shqiptarë sikur i kanë borxh diçka. Sikur kanë detyrime ndaj tij. Kur populli ia jep 51.1 për qind për të qeverisur, përqindje që s’ia kanë dhënë kujt, ai vendos të mos qeverisë, por kërkon sërish zgjedhje.
I do 60 për qind. Pa treguar asnjëherë të vetme se çka saktësisht i duhen edhe 10 për qind të tjera.
Marrë në total, që 6 vjet është në pushtet Albin Kurti. Dhe për 6 vjet, e ka stagnuar ekonominë krejtësisht, sistemi shëndetësor është në gjendje mbijetese, shkollat më të dobëta se kurrë, cilësia s’është më as pretendim, reduktime të rrymës të kthyera pas kaq shumë vjetësh, ministra me aktakuza, vjedhje, skandale, mos punë dhe të gjitha këto të kombinuara me njëfarë atmosfere zymtësie, urrejtje, frikë, fushata linçuese, përplasje të pakuptueshme, tensione që s’ndalen dhe të gjitha këto veç se do Albin Kurti, por askush nuk e kupton saktësisht pse?
Çka i duhet këtij njeriu që një shoqëri me ndjenjë kaq të zhvilluar demokracie, me sentiment perëndimor e me potencial kaq të madh për lulëzim, ta rrëmbejë në botën e tij të kaosit të përhershëm, ta riktheje shtetin e ri në një udhëheqje gjysmë mafioze.
Gjithçka dëshiron ta fëlliqë, ta përly, ta dëmtojë. Udhëheqësit e UÇK-së radhazi i akuzoi se kanë tradhtuar idealet, pastaj se shitën aspiratën për bashkim, pastaj se falën toka, pastaj se tradhtuan kombin e shtetin që ata vetë ndihmuan të lindte.
Shante amerikanët për kolonizues, perëndimorët për eksploatues, shante pavarësinë, përqeshte flamurin, tallte himnin, kallte parlamentin, i vinte flakën qeverisë, gjuante me gurë stacionin e policisë, me vezë politikanë…
Kur këtu s’i mjaftoi shkoi në Shqipëri shante Edi Ramën, kaloi në Maqedoni shante Ali Ahmetin.
Çka është ky njeri?
Kur i duket se është një marrëveshje afër përmes ndërmjetësimit të Amerikanëve, shanë Amerikën, kur i duket se marrëveshja mund të vije nga Evropianët, shanë Evropën, kur kompani ndërkombëtare duan të vijnë për të investuar në Kosovë shanë kompanitë ndërkombëtare, kur s’janë ata, shanë biznesmenët e Kosovës, i quan oligarkë, oponentët politikë herë zullumqarë, herë hajna, herë miza, herë të tjera mbiemra të tjerë ofendues.
Ca është ky njeri?
Shanë mediat, shanë prokurorët, dikur shante policët e ushtarët e FSK-së, madje shante, siç e thoshte vetë diku, këdo që është i suksesshëm.
“Se njerëzit që kanë sukses sot në Kosovë, janë bukur si dallaverxhi që mos me thënë kriminela.” deklaronte Kurti.
Qytetarët e Kosovës nuk i kanë borxh askujt, asgjë. Aq më tepër një personi krejtësisht të padëshmuar si Albin Kurti.
Si person që jeton për t’u ankuar, mbase ia ka marrë inati popullit që ia hoqi çdo arsyetim potencial, duke i thënë krejt çfarë ai i kërkoi.
Por, jam i bindur se populli tashmë e ka kuptuar se krejt çfarë ka për të ofruar Albin Kurti është një ankesë më shumë, një kërkesë më shumë, një zemërim më tepër e një bllokadë shtesë.
Instinkti i shëndosh i shoqërisë kosovare të dielën vendosi të kthejë ekuilibrin duke refuzuar edhe mllefin e elanin për përçarje e mos punën e Albin Kurtit, por edhe plogështinë e skajshme të ish-opozitës, duke dëshmuar se qëndron shumë më lartë si shoqëri se politikanët që e udhëheqin.

