Prokuroria Speciale: Paraburgim për dy të dyshuar për krime lufte, kujdes me publikimet për gërmimet në Zubin-Potok

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”..

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, tha se të dyshuarit dyshohet se gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë kanë qenë të përfshirë në vrasje, maltretim dhe dëbim të popullsisë civile.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka paraqitur në Gjykatën Themelore këtu në Prishtinë, kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për veprën penale krime lufte kundër popullsisë civile, të pandehurit dyshohet se gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë, kanë qenë të përfshirë në veprime që përfshijnë vrasje, maltretim dhe dëbim të popullsisë civile”, tha ajo.

Luta tha se Prokuroria Speciale është e përkushtuar që ta hetojë rastin dhe të zbardhë të gjitha rrethanat, ndërsa për shkak të ruajtjes së procedurës hetimore, në këtë fazë nuk mund të japë më shumë informacione.

“Prokuroria Speciale është e përkushtuar që ta hetojë këtë rast dhe t’i zbardhë të gjitha rrethanat e tij, në përputhje me ligjin dhe standardet më të larta profesionale. Me qëllim të ruajtjes së procedurës hetimore, në këtë fazë nuk mund të ndajmë më shumë informacione”, tha ajo.

Sa i përket gërmimeve që po zhvillohen në komunën e Zubin Potokut, zëdhënësja e Prokurorisë Speciale tha se nuk mund të komentojnë procesin, duke theksuar se çdo konfirmim mund të bëhet vetëm pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe identifikimit nga institucionet kompetente.

“Po ashtu, nuk mund të komentojmë procesin që është duke u zhvilluar rreth gërmimeve në komunën e Zubin Potokut. Çdo konfirmim mund të bëhet vetëm pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe identifikimit nga institucionet kompetente. Andaj iu bëjmë thirrje të gjithëve, publikut, mediave, që të ruhen nga publikimi i çdo informacioni të pakonfirmuar, në shenjë respekti ndaj viktimave, identitetit të tyre, familjarëve të tyre dhe të këtij procesi hetimor. Pra këtë proces është duke e udhëhequr Prokuroria Speciale dhe mbetet e përkushtuar që ta hetojë çdo rast të krimeve të luftës, në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës”, tha ajo.

By admin4