Zyrtari policor Avdi Hoti, njëherësh kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, ka pranuar një letër falënderimi nga familja Bytyqi, pasi me reagimin e tij të shpejtë dhe profesional i shpëtoi jetën një vajze 9-vjeçare.
Ngjarja ndodhi më 24 korrik në autostradë, pranë “Kronit të mbretit”, kur familjarët ndaluan veturën e Hotit duke kërkuar ndihmë urgjente për vajzën, e cila kishte humbur vetëdijen dhe nuk merrte frymë.
Hoti i ofroi menjëherë ndihmën e parë, njoftoi policinë përmes numrit emergjent 192 dhe, falë ndërhyrjes së tij, arriti t’ia rikthente frymëmarrjen vajzës deri në mbërritjen e autoambulancës, e cila më pas e transportoi për trajtim mjekësor.
Në letrën e falënderimit, familja Bytyqi shprehu mirënjohjen e thellë për profesionalizmin, qetësinë dhe humanizmin e treguar nga Hoti, duke theksuar se reagimi i tij ishte vendimtar për shpëtimin e jetës së vajzës.
Ky rast është vlerësuar si një shembull i përkushtimit dhe humanizmit që zyrtarët policorë tregojnë në mbrojtje të jetës dhe sigurisë së qytetarëve.



