Qyteti i Ushuaias e mohon: Nuk lindi këtu Hantavirusi

Qyteti më jugor i Argjentinës, Ushuaia, i njohur si “Fundi i Botës” dhe një nga portat kryesore drejt Antarktidës, është përfshirë në një debat ndërkombëtar pas një shpërthimi infeksioni në anijen turistike MV Hondius. Anija, e cila nisi udhëtimin nga Ushuaia më 1 prill, më pas u ankorua në Tenerife të Ishujve Kanarie, ku nisi evakuimi i pasagjerëve. Në bord ndodheshin 114 pasagjerë dhe 61 anëtarë ekuipazhi nga 22 vende të ndryshme.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se infeksioni mund të ketë origjinën përpara nisjes së udhëtimit, por ende nuk ka një version përfundimtar. Autoritetet shëndetësore në Argjentinë, Kili dhe Uruguai po përpiqen të rindërtojnë itinerarin e pasagjerëve për të identifikuar “pacientin zero”. Një nga hipotezat e ngritura lidhet me mundësinë e ekspozimit në periferi të Ushuaias, por kjo është kundërshtuar nga zyrtarët lokalë. Drejtori i Epidemiologjisë në provincë, Juan Facundo Petrina, deklaroi se rajoni nuk ka histori rastesh dhe nuk paraqet kushtet për përhapjen e virusit të dyshuar.

Reklame

Ai theksoi gjithashtu se zona endemike e sëmundjes ndodhet shumë më në veri të Patagonisë dhe se faktorët klimatikë e gjeografikë e bëjnë të pamundur përhapjen lokale. Ndërkohë, ekspertë të tjerë si epidemiologu Eduardo Lopez kanë kërkuar hetime më të thelluara, duke paralajmëruar se ndryshimet ekologjike mund të ndikojnë në përhapjen e sëmundjeve të reja në rajon.

Nga ana tjetër, përfaqësues të turizmit në Tierra del Fuego, përfshirë Juan Manuel Pavlov, kanë theksuar rëndësinë ekonomike të lundrimeve drejt Antarktidës, duke paralajmëruar se çdo panik i tepruar mund të dëmtojë industrinë.

Në terren, situata në Ushuaia mbetet normale. Turistët vazhdojnë ekskursionet në Kanalin Beagle dhe drejt atraksioneve të tjera natyrore, ndërsa operatorët turistikë thonë se nuk ka anulime masive.

Në mesin e vizitorëve është edhe turisti David Bobart, i cili deklaroi se udhëtimi i tij ka vijuar pa probleme dhe pa shqetësime shëndetësore. Ndërkohë, hetimet për origjinën e shpërthimit vazhdojnë, me autoritetet që ende nuk kanë arritur një përfundim zyrtar. Në mungesë të provave të qarta, rasti i “MV Hondius” mbetet i hapur dhe me shumë pikëpyetje mbi mënyrën e përhapjes së infeksionit.

By admin3