Tubimi i bashkimit siç e quajti Lumir Abdixhiku, nuk e bashkoi krejt Lidhjen Demokratike të Kosovës ditën e djeshme.
Munguan figura kyçe e të rëndësishme të partisë.
Në mesin e tyre ishin Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, dy deputetët pothuajse më të votuar në zgjedhjet e fundit.
Gjithashtu, në mesin e personave që munguan ishte edhe Janina Ymeri.
Për këtë, u pyet edhe Lumir Abdixhiku pas takimit.
“Është tubim i bashkimit, të gjithë janë me një listë, të gjithë janë me një garë, po bëjmë përpjekjen e madhe për Kosovën, çështjet tona nuk janë më relevante. Relevante është që Kosovës t’i ofrohet shpresë, ekip që ofron zgjidhje konkrete, që e nxjerr vendin nga kriza, dhe përfundimisht jep shpresë. Jam shumë i kënaqur për mbështetjen në këtë tubim, kjo është shumë më e rëndësishme se gjithçka tjetër. Çështjet tjera janë irelevante. Të gjithë janë pjesë e listës, mos krijoni tema të paqena”, tha Abdixhiku.
Hoti e Bajrami munguan edhe në takimin e kryesisë, edhe në atë të Këshillit të Përgjithshëm.
Të dy, në kohët e fundit, kanë shprehur haptasi kritikat për rikthimin e Vjosa Osmanit në parti.
Ish-kryeministri e deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, deklaroi se dëmet që Vjosa Osmani ia ka bërë LDK-së dhe Kosovës, janë të pariparueshme. Madje, tha se janë veprime të pabesa.
“Është e drejtë e saj si vepron ajo pasi të mbarojë mandatin, është e drejtë e saj, varet nga ajo. Një gjë është e vërtetë që dëmet që i janë shkaktu LDK-së nga ajo personalisht i kanë kushtu vendit dhe LDK-së. Pas 5 viteve, ende kemi pasojat e veprimeve të saj, asaj i ka dhënë LDK-ja gjithçka, duke e kandidu për kryeministre, duke e zgjedhur kryetare të Kuvendit. Veprimet që ka ndërmarrë ajo para 5 vitesh, janë jashtë çdo etike të sjelljes politike, kështuqë nuk e shoh se si mund. LDK është parti e hapur, secili që ka vullnet e që respekton statuin e partisë mund të bashkohet me LDK-në në parim, kanë mbetur plagë nga veprimet e saj politike të pabesa ndaj LDK-së. E ka marrë një pjesë të LDK-së dhe e ka çu në kampin tjetër politik. Dëmet janë të pariparueshme”, tha Hoti në një intervistë për Nacionalen.
I pyetur nëse Osmani mund të jetë kandidate për kryeministre apo kryetare e partisë, Hoti tha se LDK-ja ka një rend shtëpie.
“Kemi një rend shtëpie nuk është çështje e dëshirave apo presioneve të rrjeteve sociale, ka një rend shtëpie që duhet të respektohet, kemi disa votues besnik që na kanë qëndruar afër në kohë të mira e të këqija, vullnetin e të cilëve duhet ta marrim parasysh”, tha ai.
“Unë e njoh politikisht se si vepron, unë shpresoj që me deklarimet e fundit e kanë parë të gjithë qytetarët modelin politik që ajo i ka ofruar vendit. Në intervistë, ajo tha që i ka qëndruar besnike në gjithçka që ka kërkuar Kurti, ia ka dhënë edhe datën e zgjedhjeve. Dhe ky në fund nuk e ka propozua. Është shpërfaqje e një karakteri politik që nuk i duhet vendit. Ajo ka vërtetuar se ka qenë në shkelje kushtetuese gjatë gjithë kohës sa ka qëndruar në atë zyrë. Sepse Kushtetuta kërkon mbikëqyrje të rendit kushtetuese”, ka thënë Hoti.


