Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me bllokadën e parlamentit, duke e cilësuar këtë si ditën e katërt të vonesës për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.
Ramadani ka kritikuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se derisa ata refuzojnë të propozojnë dhe të zgjedhin Kryetarin e Kuvendit, qytetarët po përballen me rritje të çmimeve.
“Derisa deputetët e pushtetit refuzojnë të propozojnë e të zgjedhin Kryetarin e Kuvendit, çmimi i naftës ka shkuar në gati 1.70 euro. Secila ditë vonesë e dëmton drejtpërdrejt xhepin e familjeve kosovare”, ka shkruar Ramadani.
Ai ka përsëritur gatishmërinë e Aleancës për të kontribuar në zhbllokimin e situatës dhe ka kërkuar nga Vetëvendosje që ta pranojë ofertën gjashtëpikëshe të Aleancës, transmeton Klankosova.tv.
“Ne jemi këtu, të gatshëm si çdo herë. Pranojeni ofertën 6 pikëshe të Aleancës, mos e bojkotoni mirëqenien e qytetarëve! Mbajeni pushtetin, por mos e bllokoni shtetin!”, ka përfunduar Ramadani.



