Ish-Zëvendësministri për Transport dhe Lidhje nga radhët e BDI-së, Bekim Rexhepi sot kritikoi vendimin për ridestinimin e 6 milionë eurove për bulevardin “Hasan Prishtina”, përcjell TV21. Rexhepi thotë se nuk ka kuptim që këto mjete të shkojnë për rrugën nëntokësore në bulevardin jugor, ndërsa nga ana tjetër të promovohet vazhdimi i ndërtimit të autostradës Shkup-Bllacë.
“Kjo ndodh në të njëjtën kohë kur qeveria organizon ceremoni për vazhdimin e autostradës Shkup-Bllacë, prandaj pyetja është e thjeshtë, çfarë kuptimi ka autostrada e Bllacës nëse rruga që duhet të lidhë atë me Shkupin mbetet në gjendjen aktuale, në kaos të përditshëm? Nuk mund të ndërtohet autostradë drejt Bllacës dhe në të njëjtën kohë të tërhiqen para nga rruga që duhet të lidhë me Shkupin dhe Kosovën”, theksoi Rexhepi.



