Shkruan: Halit Krasniqi
Ka momente kur një njeri nuk mund të flasë vetëm si politikan, si jurist apo si qytetar. Ka momente kur duhet të flasë edhe si dëshmitar i një kohe në të cilën ka marrë vendime, ka bartur përgjegjësi dhe ka parë nga afër se si politika, drejtësia dhe interesat ndërkombëtare janë ndërthurur në fatin e Kosovës. Unë jam njëri prej atyre njerëzve. Si anëtar i Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës, kam marrë drejtpërdrejt rekomandimin e atëhershëm të Kryeministrit Hashim Thaçi që Projektligji për Gjykatën Speciale të kalonte në Kuvend. Porosia ishte e qartë: të mbështetej iniciativa e Qeverisë dhe ajo të arsyetohej para deputetëve si një zgjidhje që duhej pranuar, ndër të tjera, edhe për shkak të kërkesave dhe pritjeve të miqve tanë amerikanë dhe evropianë. Projektligji, megjithatë, u shty dhe u votua më vonë, në vitin 2015, kur unë nuk isha më pjesë e Kuvendit. Po të isha atëherë deputet, do ta votoja. Jo sepse do të besoja se çdo akuzë ndaj luftëtarëve të UÇK-së ishte e vërtetë. Jo sepse do të pranoja paraprakisht fajësinë e kujtdo. Dhe jo sepse do të hiqja dorë nga e drejta për të mbrojtur të vërtetën e luftës sonë për liri. Do ta votoja sepse, në rrethanat e asaj kohe, e konsideroja më të përgjegjshme që Kosova ta merrte vetë një vendim të vështirë dhe ta krijonte një mekanizëm të posaçëm të drejtësisë, sesa çështja të përfundonte në një proces tjetër ndërkombëtar, ku vendimmarrja politike dhe diplomatike mund të kishte përcaktuar edhe arkitekturën e mekanizmit gjyqësor me protagonist nga shtete jo miqësore. Kështu ishte krijuar bindja ime atëherë nga informacionet kredibile që kishim. Dhe është e rëndësishme ta them këtë sot, sepse nuk kam arsye ta mohoj një qëndrim që e kam mbajtur me vetëdije. Por pranimi i themelimit të Gjykatës Speciale nuk nënkupton pranimin e çdo akuze të ngritur prej saj.
Ky është dallimi themelor. Një gjykatë mund të jetë krijuar me vendim politik, por drejtësia e saj matet vetëm me standardet e gjykimit të drejtë, me provat dhe me ligjin. Pikërisht për këtë arsye, sot, kur procesi ndaj katër prej drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka arritur në fazën përfundimtare, duhet të kërkojmë vetëm një gjë: të triumfojë drejtësia dhe të mos merren në konsideratë nga trupi gjykues dosjet e dërguara nga palët e konfliktit nga Beogradi dhe Moska. Kërkesa për drejtësi të mbetet insistimi ynë Akuzat e rënda që për vite kanë rënduar mbi emrin e lavdishëm të luftës së drejtë të Kosovës dhe veçanërisht pretendimet për të ashtuquajturën “tregti me organe” dhe emërtimi motivues: Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe akronimi simpatik e inspirues: UÇK, që ka udhëhequr e identifikuar luftën tonë të drejtë të gumzhijë me formulimin rrëqethës: “Ndërmarrje e përbashkët kriminale” kanë qenë ndër elementet më tronditëse të kësaj historie.
Nga se këto pretendime nuk janë provuar, atëherë ato duhet të mbeten aty ku i takon çdo pretendimi të paprovuar: jashtë një aktgjykimi lirues. Gjykata Speciale është krijuar me një vendim të institucioneve të Kosovës dhe është mbështetur fuqishëm nga aleatët tanë ndërkombëtarë. Në gjithë rrugëtimin e saj, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pasur rol të rëndësishëm politik e diplomatik në krijimin e mekanizmit dhe në mbështetjen e tij. Pikërisht për këtë arsye, miqtë tanë në SHBA duhet të dëshmojnë besnikërinë ndaj parimit mbi të cilin është ndërtuar aleanca jonë me ta: drejtësia, ligji dhe e drejta për një gjykim të drejtë. Kjo tani është e mundur. Nga se protagonistët kryesorë në vendimmarrje kanë origjinë amerikane dhe kanë eksperiencë e formime juridike me integritet. Nëse UÇK-ja është konsideruar aleate në luftën kundër regjimit të Millosheviqit, nuk duhet të lejohet që vetë përkatësia në UÇK, apo roli politik e ushtarak i dikujt gjatë luftës, të shndërrohet në provë të fajësisë pse këtë e ka kërkuar dhe e kërkon Beogradi dhe Moska me dosje të trilluara dhe me dëshmitarë të prodhuar, që një pjesë prej tyre do të duhej të ishin të akuzuar nga drejtësia ndërkombëtare për autorësi në krime e gjenocid gjatë luftës në Kosovë. Lufta mund të vlerësohet politikisht e historikisht. Përgjegjësia penale, ndërkaq, duhet të provohet individualisht. Pikërisht për këtë arsye, në kohën e duhur iu drejtova në dy forma me korespondencë interne Dhomave të Specializuara në Hagë me deklaratën time solemne për ofrimin e garancisë pasurore për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Këtë akt që nuk e kam publikuar deri sot, nuk e bëra për të ndikuar në procesin gjyqësor dhe as për të paragjykuar vendimin e trupit gjykues. E bëra për një arsye njerëzore, juridike dhe morale. Si avokat gjatë punës sime e praktikoj kërkesën për klientët e mi në rastet penale kur procesi gjyqësor mund të vazhdojë duke e ndryshuar masën e sigurisë nga institucioni i burgut, në arrest shtëpiak apo me ndonjë masë më të butë përmes formave bashkëkohore të mekanizmave elektronik ku në çdo moment dihet vendndodhja e të akuzuarit. Për këtë arsye ofrova vullnetarisht një vlerë që nuk e ka ofruar askush, as personalisht dhe as qeveria e Kosovës, duke e deklaruar shumën e asaj vlere deri në 2 milionë euro nga pasuria ime si titullar i saj, në formë të dorëzanisë si garanci, deri në vlerën që do të mund të konsiderohej e pranueshme nga Gjykata, sepse besoj se liria nuk duhet të kufizohet në procese hetimore më shumë sesa është e domosdoshme.
Këtë ma dedikoj njohja ime profesionale si avokat dhe ndjeshmëria ime nga përvoja jetësore duke e njohur vetë peshën e burgimit. Unë kam përjetuar shumë privime të padrejta nga liria që nga kufijtë e moshës së miturisë bashkë me tri dënime të padrejta. Prandaj e di se afërsisht gjashtë vjet nuk janë vetëm një shifër në një dokument gjyqësor. Janë vite jete. Janë vite ankthi të familjes. Janë vite të humbura me përjetime që nuk kthehen dhe nuk kanë ekuivalencë kompensimi. Pikërisht sepse e di këtë, nuk kam kërkuar nga Gjykata të bëjë kompromis me drejtësinë. Kam kërkuar që të shqyrtojë mundësitë ligjore për një masë më të butë, sepse ajo është në pajtim me ligjin dhe me rrethanat e çështjes në procesin e pritjes së vendimit, kur ishin dëgjuar të akuzuarit dhe dëshmitarët. Nisma ime ishte personale. Nuk u konsultova me të akuzuarit, me mbrojtësit e tyre, me familjarët e tyre apo me ndonjë subjekt politik. Ishte një akt solidariteti i një njeriu që ka qenë bashkëpunëtor i të katërve në etapa të ndryshme të rrugëtimit të Kosovës, nga përgatitjet për luftë që nga ngjizja e saj e deri te ndërtimi i institucioneve të Kosovës. Madje deri me këtë rast nuk ka qenë në dijeni askush përveç administrates së Gjykatës Speciale së cilës ju kam drejtuar në mënyrë elektronike dhe në formë të shkruar në adresën e saj zyrtare me pliko të mbyllur dhe të regjistruar në formën më të sigurt të dërgesës. Kjo formë solidariteti nuk është paragjykim juridik.
Mund të jesh solidar me një njeri dhe njëkohësisht të kërkosh që drejtësia të bëjë punën e saj. Kështu besoja edhe unë, ndryshimi i masës së sigurisë nuk pengonte aspak drejtësinë. Mund të besosh në pastërtinë e luftës çlirimtare dhe njëkohësisht të pranosh se çdo individ duhet t’i përgjigjet ligjit nëse provat dëshmojnë se ka konsumuar vepër penale. Dhe, po aq qartë, mund të besosh se një njeri është i pafajshëm pa kërkuar që gjykata ta shpallë të pafajshëm për arsye politike. Kjo është pikërisht ajo që duhet të ndodhë tani. Meqenëse provat kredibile nuk kanë dëshmuar fajësinë e të akuzuarve, rrjedhimisht aktgjykimi lirues nuk do të ishte një favor për ta. Do të ishte përmbushje e drejtësisë. Do të ishte gjithashtu një moment i rëndësishëm për historinë e Kosovës. Sepse Kosova nuk ka nevojë për një mit të ri. Nuk ka nevojë as për një tragjedi të re politike. Ka nevojë për të vërtetën. Dhe e vërteta nuk mund të ndërtohet mbi akuza të paprovuara apo mbi skenarë apokaliptikë. Prandaj, ne të protestojmë kundër një gjykate pse ajo gjykon vetëm njerëzit tanë çlirimtarë, dhe nuk gjykon ata që kryen masakra e gjenocid në vendin tonë. Por meqenëse kjo procedurë është e pakthyeshme, atëherë duhet të kërkojmë që ajo në fjalën përfundimtare të gjykojë me standardet më të larta të drejtësisë. Dhe, Çlirimtarët e akuzuar nuk janë fajtorë, bashkë me ne të kërkojmë që edhe drejtësia ta thotë këtë në shpalljen e aktgjykimit. Kur të konstatohet se nuk janë fajtorë, drejtësia do përfitojë ithtarë në këtë brez dhe brezat që vijnë duke e përmbledhur edhe më fuqishëm si definicion juridik: vetëm një gjykim i bazuar në prova mund ta ndajë historinë nga propaganda dhe drejtësinë nga politika. Por ekziston edhe një e vërtetë tjetër që duhet ta pranojmë. Ndihma më e madhe që mund t’u japim atyre që sot përballen me drejtësinë në Hagë nuk është përplasja me ndërkombëtarët. Nuk është retorika e viktimizimit. Por është ndërtimi i një Kosove me institucione funksionale, demokratike, të drejta dhe të mirëqeverisur. Nëse 16 shtatori do të jetë momenti i së vërtetës, atëherë le të jetë pikërisht kjo: jo dita kur politika fitoi mbi drejtësinë, por dita kur drejtësia foli mbi politikën. Unë e kam mbështetur krijimin e kësaj Gjykate kur besoja se ajo ishte rruga më e përgjegjshme për Kosovën. Sot, po me atë përgjegjësi, them se ajo duhet ta përmbushë misionin e saj deri në fund: Jo për t’i shërbyer Beogradit;
Jo për t’i shërbyer Moskës;
Jo për të na shërbyer neve;
Por për t’i shërbyer të vërtetës.
Dhe nëse e vërteta juridike është administruar me kritere selektive të parimësisë, atëherë drejtësia e vërtetë nuk mund të ketë përfundim tjetër për katërshen e akuzuar përveç pafajësisë. Kjo nuk do të ishte fitore e një krahu politik. Do të ishte fitore e një kauze shekullore. Gjithashtu do të ishte fitore e drejtësisë. Dhe, mbi të gjitha, do të ishte një mundësi që Kosova të mbyllte një nga kapitujt më të dhimbshëm të pasluftës.



