Pakti i Mekës dhe paradoksi i ri i Lindjes së Mesme: A mund të afrohen Irani dhe Izraeli?

Shkruan: Nefail Emini
Lindja e Mesme nuk po gjen qetësi, ndërsa rajoni po përjeton zhvendosje të fuqishme
gjeopolitike, të shoqëruara me krijimin e aleancave të reja, të cilat njëkohësisht po nxisin
shfaqjen e mundësive për përplasje të reja. Afrimi ndërmjet Turqisë, Arabisë Saudite dhe
Pakistanit, duke krijuar një trekëndësh të ri në Lindjen e Mesme, duket se do të prodhojë
përplasje të fuqishme gjeopolitike në një nga rajonet më të paqëndrueshme të botës. Kjo situatë
mund të çojë në krijimin e aleancave jo të natyrshme dhe ndoshta joformale, por që do të jenë të
pranishme dhe me ndikim në këtë hapësirë.
Në rrethanat e reja gjeopolitike të krijuara nga Pakti i Mekës, mund të shfaqet edhe mundësia e
një konvergjence të heshtur interesash ndërmjet Iranit dhe Izraelit. Kjo mund të duket shumë
jorealiste në rrethana normale, por në kushtet e reja gjeopolitike, më shumë se inatet dhe
rivalitetet historike, mund të vlejë parimi se “armiku i armikut tim është miku im”.
Marrëveshja e Mekës dhe shqetësimi i Iranit dhe Izraelit
Marrëveshja e Mekës ka shkaktuar shqetësim në disa shtete të Lindjes së Mesme dhe të
Mesdheut Lindor, veçanërisht në Iran dhe Izrael, pasi ajo mund të ndryshojë balancat
gjeopolitike në rajon. Irani dhe Izraeli, dy fuqi rajonale që për një kohë të gjatë e kanë parë njëri-
tjetrin si kundërshtar në garën për ndikim në rajon, përnjëherë mund të gjenden përballë një
blloku që e vlerësojnë si gjithnjë e më të rëndësishëm për interesat e tyre strategjike.
Për Izraelin, marrëveshja e Mekës mund të përfaqësojë një konfigurim që përbën një kërcënim
më të drejtpërdrejtë për interesat e tij gjeopolitike në rajon. Në të njëjtën kohë, edhe Teherani
mund ta perceptojë këtë aleancë si një sfidë gjithnjë e më të madhe për interesat e tij, veçanërisht
nëse ajo do të shndërrohet në një mekanizëm më të gjerë bashkëpunimi politik, ekonomik dhe të
sigurisë.
Pse Pakti i Mekës ngre shqetësim në Iran?
Irani dhe Izraeli janë kundërshtarë të fuqishëm në garën për ndikim rajonal, por, ndryshe nga
shtetet e Paktit të Mekës, ata nuk kanë kufi të përbashkët tokësor. Teherani, në anën tjetër, ndan
kufij të gjatë tokësorë me Pakistanin dhe Turqinë, ndërsa Arabia Saudite janë fqinjë detarë.
Që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, rivaliteti dhe përplasjet ndërmjet Riadit dhe Teheranit
janë ashpërsuar, ndërsa rivaliteti i tyre është shfaqur, drejtpërdrejt ose përmes aktorëve të
ndërmjetëm, në një pjesë të madhe të konflikteve që kanë karakterizuar Lindjen e Mesme gjatë
dekadave të fundit. Ky rivalitet ka rrënjë në përplasjen ndërmjet Teheranit dhe Riadit për ndikim
dhe hegjemoni në Lindjen e Mesme, për supremaci dhe udhëheqje në botën islame, si dhe për
dominim në gjeopolitikën energjetike.

Në këto kushte, një Arabi Saudite më e fuqishme si pasojë e kësaj aleance do të përbënte një
barrierë edhe më të madhe ndaj interesave gjeopolitike të Teheranit në rajon. Përfshirja e Riadit
në këtë pakt mund të shërbejë gjithashtu si shtysë që edhe shtete të tjera të Gjirit t’i bashkohen
këtij konfigurimi, duke krijuar një izolim më të madh strategjik për Iranin.
Irani ka gjithashtu një rivalitet historik me Turqinë, i cili shtrihet pas në kohë, që nga viti 1501,
kur u krijua Dinastia Safavide, e cila zhvilloi një rivalitet të fuqishëm me Perandorinë Osmane.
Irani dhe Turqia, si dy prej shteteve më të populluara dhe dy fuqi të rëndësishme rajonale, kanë
një rivalitet të fuqishëm për ndikim jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe në Kaukaz dhe në
Azinë Qendrore.
Përmes kësaj aleance, pesha e Ankarasë mund të rritet më tej, duke e vendosur Teheranin nën
presion dhe duke kufizuar hapësirën e tij të manovrimit për ndikim në këto rajone. Pakti i Mekës
krijon një ndërthurje të fuqisë së jashtëzakonshme energjetike dhe financiare të Arabisë Saudite,
kapaciteteve teknologjike dhe ushtarake të Turqisë, si dhe fuqisë demografike dhe bërthamore të
Pakistanit. Kjo e vendos Iranin në një pozitë tejet delikate për sa i përket ruajtjes dhe zgjerimit të
ndikimit të tij në këto hapësira.
Një tjetër dimension i përplasjes ndërmjet Teheranit dhe Ankarasë lidhet edhe me pretendimin
për rolin e “shtetit bërthamor” në botën islame. Në këtë kuptim, një afrim më i madh ndërmjet
shteteve me shumicë sunite mund të kufizojë edhe më tej synimet e Iranit shiit për ndikim dhe
udhëheqje në botën islame.
Irani dhe Pakistani ndajnë një kufi të përbashkët prej rreth 909 kilometrash, ndërsa çështja e
sigurisë kufitare ndërmjet dy vendeve shpesh është shndërruar në një arenë përplasjesh. Të dyja
palët e kanë akuzuar njëra-tjetrën për mbështetje ose tolerim të grupeve të pakicës baloçe, të cilat
kanë kryer sulme në territorin e njëra-tjetrës.
Afganistani përbën një tjetër arenë të përplasjeve gjeopolitike ndërmjet Iranit dhe Pakistanit.
Islamabadi ka mbështetur Talibanët, ndërsa Teherani ka mbajtur marrëdhënie me aktorë të tjerë
afganë dhe me grupe që kanë qenë në kundërshtim me Talibanët.
Irani e sheh me shqetësim afrimin e Pakistanit me Arabinë Saudite, kundërshtarin e tij rajonal,
ndërsa Islamabadi e ka parë me shqetësim afrimin ndërmjet Teheranit dhe Indisë. Porti i
Chabaharit i jep Indisë një rrugë alternative drejt Afganistanit dhe Azisë Qendrore, duke
anashkaluar territorin pakistanez.
Në kushtet e një aleance të re, Pakistani do të fitonte hapësira më të mëdha manovruese për
avancimin e interesave të tij gjeopolitike në rajon, ndërsa Irani do të vendosej nën presionin e
këtij trekëndëshi të ri. Pakti i Mekës, nëse konsolidohet si një aleancë funksionale, mund ta
vendosë Iranin nën presion të fuqishëm gjeopolitik, duke e detyruar Teheranin të kërkojë forma
të reja partneriteti për të krijuar një balancë të fuqisë dhe për të thyer izolimin e tij strategjik.

Pse shqetësohet Izraeli?
Edhe Irani, edhe Izraeli mund ta shohin me shqetësim të madh këtë aleancë të re. Izraeli e ka
parë Iranin si një kërcënim të rëndësishëm për interesat e tij në rajon, por një pjesë e fuqive të
Paktit të Mekës ndodhen gjeografikisht shumë më pranë hapësirës së interesit të tij strategjik. Në
këtë kontekst, Izraeli mund ta shohë Turqinë si një kërcënim më të drejtpërdrejtë ndaj interesave
të tij rajonale.
Izraeli e sheh me shqetësim mbështetjen që Turqia i jep kauzës palestineze dhe kundërshtimin e
fuqishëm të veprimeve izraelite në territoret palestineze, çka ka shkaktuar jo pak fërkime
ndërmjet dy vendeve. Turqia ka mbajtur marrëdhënie politike me Hamasin, ndërsa Izraeli e
konsideron Hamasin organizatë terroriste.
Mesdheu Lindor dhe rrugët energjetike përbëjnë një tjetër pikë të përplasjes së fuqishme
gjeopolitike ndërmjet dy vendeve. Bashkëpunimi strategjik Izrael–Greqi–Qipro krijon
shqetësime për Ankaranë, ndërsa interesat turke në Mesdheun Lindor përbëjnë një çështje të
rëndësishme në marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Izraelit.
Siria është një tjetër hapësirë ku të dyja palët kanë interesa të ndryshme për të ardhmen politike
dhe të sigurisë së vendit. Me krijimin e një aleance të re rajonale, Izraeli mund të shqetësohet se
ndikimi i Ankarasë do të rritet në mënyrë të pashmangshme, duke cenuar interesat e tij në këto
hapësira.
Përplasjet ndërmjet Izraelit dhe Arabisë Saudite janë dukshëm më të kufizuara krahasuar me ato
ndërmjet Izraelit dhe Turqisë. Megjithatë, çështja palestineze, statusi i Jerusalemit dhe çështja e
vendeve të shenjta myslimane janë jashtëzakonisht të ndjeshme për Arabinë Saudite, duke pasur
parasysh rolin e saj si mbrojtëse e Mekës dhe Medinës. Një aleancë e re do t’i jepte Riadit fuqi
më të madhe diplomatike për të ushtruar presion ndaj Izraelit dhe aktorëve ndërkombëtarë për t’i
trajtuar me më shumë seriozitet këto çështje.
Izraeli dhe Pakistani, ndonëse relativisht larg gjeografikisht, kanë gjithashtu pika përplasjeje në
planin gjeopolitik. Njëra prej tyre lidhet me çështjen palestineze, ndërsa bashkëpunimi strategjik
Izrael–Indi perceptohet në Pakistan si një problem sigurie, veçanërisht në kontekstin e konfliktit
Indi–Pakistan dhe çështjes së Kashmir-it.
Këto tri shtete të Paktit të Mekës kanë një sërë interesash dhe çështjesh të përbashkëta në raport
me Izraelin, gjë që teorikisht do t’u mundësonte të krijonin një politikë më të koordinuar dhe të
rrisnin presionin ndaj Tel Avivit. Pikërisht kjo mund të shihet me shqetësim nga Izraeli.
Në këto rrethana, Izraeli do të ishte i interesuar të gjente partnerë të rinj ose të forconte
partneritetet ekzistuese në rajon, me qëllim balancimin e kësaj aleance të re dhe shmangien e një
izolimi të mundshëm strategjik nga Ankaraja, Rijadi dhe Islamabadi.
A mund të krijohet një afrim Iran–Izrael?

Në situatën e re gjeopolitike të krijuar, nëse Pakti i Mekës shndërrohet në një aleancë të fuqishme
në Lindjen e Mesme, atëherë si Irani, ashtu edhe Izraeli mund ta shohin atë si një faktor që
kërcënon ose kufizon interesat e tyre gjeopolitike në rajon.
Në këto rrethana, mundësia që Irani, për t’iu kundërvënë këtij konfigurimi, të kërkojë një
partneritet që mund të ofrojë peshë të krahasueshme ushtarake, ekonomike dhe diplomatike, e
sjell Izraelin në mënyrë paradoksale në qendër të kësaj hipoteze. Në të njëjtën kohë, edhe për
Izraelin mund të bëhet e rëndësishme krijimi i një balance të re të fuqisë. Në një skenar të tillë,
një marrëveshje, qoftë edhe joformale dhe jozyrtare, ndërmjet Izraelit dhe Iranit nuk do të ishte
më e pamendueshme vetëm për shkak të armiqësive të tyre historike.
Kjo nuk do të nënkuptonte domosdoshmërisht krijimin e një aleance formale Iran–Izrael. Më
shumë mund të bëhej fjalë për një konvergjencë të përkohshme të interesave, për koordinim
indirekt ose për një mirëkuptim pragmatik në çështje të caktuara, nëse të dyja palët do ta
perceptonin një kërcënim të tretë si më të rrezikshëm për interesat e tyre.
Nuk duhet harruar se shtetet veprojnë mbi bazën e interesave të tyre gjeopolitike dhe strategjike.
Historia ndërkombëtare nuk ka munguar në raste kur dy kundërshtarë të përbetuar kanë gjetur
forma bashkëpunimi për të balancuar një fuqi tjetër, të cilën të dy e kanë vlerësuar si më të
rrezikshme.
Prandaj, pyetja që shtrohet në rrethanat e reja të Lindjes së Mesme nuk është domosdoshmërisht
nëse Irani dhe Izraeli mund të bëhen aleatë në kuptimin klasik të fjalës. Pyetja më interesante
është nëse ndryshimi i ekuilibrit rajonal mund t’i detyrojë dy kundërshtarët historikë të gjejnë
pika të përbashkëta interesi dhe, në një moment të caktuar, të bashkëpunojnë në mënyrë
pragmatike përballë një kërcënimi që mund ta konsiderojnë më të madh.
Nëse një zhvillim i tillë do të ndodhte, ai do të përbënte një nga paradokset më të mëdha të
gjeopolitikës së Lindjes së Mesme: dy prej rivalëve më të mëdhenj të rajonit mund të
detyroheshin të rishikonin marrëdhënien e tyre jo sepse kanë pushuar së qeni kundërshtarë, por
sepse konfigurimi i ri i fuqisë mund t’i shtyjë të dy të kërkojnë një ekuilibër të ri strategjik.

By admin7