VLEN mund të shndërrohet në një subjekt të vetëm politik dhe kjo nuk është aspak kontestuese.
Por, funksionimi me bashkëkryetarë mbetet një eksperiment politik, diçka e re dhe ende e paqartë nëse mund të funksionojë me sukses në praktikë.
Deri tani, performanca e VLEN-it në Qeveri ka qenë e pasuksesshme. Partneri i tyre i koalicionit i ka margjinalizuar vazhdimisht. Fitorja e madhe e VMRO-DPMNE-së në zgjedhje, së bashku me shumicën parlamentare të krijuar me ZNAM-in, e vendosi VLEN-in në një pozitë të nënshtruar, sidomos duke pasur parasysh se ata ishin subjekti i dytë politik në bllokun shqiptar.
VMRO-DPMNE-ja premtoi para zgjedhjeve “rikthimin e pushtetit”, duke pretenduar se ai ishte uzurpuar nga BDI-ja. Por më pas nisi me retorikë përçarëse, me mohim të të drejtave të shqiptarëve dhe me injorim të arritjeve të deritanishme në bashkëjetesën ndëretnike. E gjithë kjo u reflektua në dëm të VLEN-it, përmes presioneve, nënçmimeve dhe kushtëzimeve, sidomos në prag të zgjedhjeve lokale.
Arben Taravari e kuptoi se VMRO-DPMNE-ja ndodhet në një lloj euforie politike dhe se nuk tregon respekt ndaj askujt. Madje, nuk duket se ka interes as për Bashkimin Evropian dhe as për realizimin e marrëveshjeve me partnerët shqiptarë. Pikërisht për këtë ai deklaroi se është më mirë të jesh në opozitë sesa të shërbesh si “kukull” në Qeveri.
Fatkeqësisht, koalicioni me VLEN-in po duket më shumë si dekor politik në ekzekutiv dhe funksionon sipas “notave” të VMRO-DPMNE-së. Kjo situatë pritet të ketë pasoja politike. Studentët shqiptarë tashmë kanë ngritur zërin, ndërsa një pjesë e madhe e qytetarëve shqiptarë po i mbështesin ata.
Për dështimin e VLEN-it përgjegjësinë më të madhe e mban kryeministri Hristijan Mickoski, i cili i injoroi partnerët shqiptarë në qeverisje.
Ristrukturimi i VLEN-it, edhe pse po përputhet me paralajmërimet për rikonstruktim të Qeverisë nga ana e kryeministrit Mickoski, nuk pritet të sjellë ndonjë ndryshim real. Përkundrazi, gjithnjë e më shumë po flitet për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Pas humbjes së Orbanit në zgjedhje, situata politike duket se ka ndryshuar edhe në rajon. Në Maqedoninë e Veriut po zbehet shpresa për negociata me BE-në, ndërsa marrëdhëniet ndëretnike janë lëkundur ndjeshëm. Pikërisht për këtë arsye, VMRO-DPMNE-ja mund të synojë zgjedhje të reja në momentin kur ende ka një rejting relativisht të lartë, megjithëse shumëkush vlerëson se ai tashmë ka filluar të bjerë.
Sa u përket emrave të rinj në Qeveri, apo faktit që Fatmir Limani nuk është më pjesë e VLEN-it, kjo nuk ndryshon thelbin e problemit, nëse vetë VLEN-i perceptohet si subjekt pa ndikim real në vendimmarrje.


