SHBA-të akuzojnë Kinën për dominim të paligjshëm në IA

Departamenti i Shtetit ka urdhëruar një fushatë intensive informimi për të demaskuar metodat që Kina po përdor për të dominuar tregun e Inteligjencës Artificiale.

Në qendër të akuzave është kompania DeepSeek. Startup-i kinez, që vitin e kaluar befasoi botën me një model AI tepër të fuqishëm, akuzohet se ka përdorur “distilimin“, një proces ku modelet kineze trajnohen duke vjedhur të dhënat dhe prodhimin e inteligjencës artificiale të laboratorëve amerikanë.

“Uashingtoni thotë se kjo nuk është thjesht garë, por një rrjedhje e paligjshme e teknologjisë që ka kushtuar miliarda dollarë investime në SHBA,” thuhet në njoftimin e Departamentit amerikan.

Përveç DeepSeek, në listën e zezë të Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit janë edhe firmat kineze “Moonshot AI” dhe “MiniMax“.

Ky sulm erdhi vetëm pak kohë pasi, DeepSeek prezantoi një model të ri të përshtatur posacërisht për çipat e “Huawei“, duke treguar se Kina po fiton pavarësi të plotë teknologjike pavarësisht sanksioneve.

Ambasada kineze në Uashington i quajti akuzat “të pabaza“, duke deklaruar se Kina mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes së të drejtave të autorit.

Megjithatë, SHBA udhëzon diplomatët që tu kërkojnë partnerëve ndërkombëtarë të jenë vigjilentë ndaj rreziqeve që vijnë nga përdorimi i modeleve kineze, të cilat sipas tyre, janë ndërtuar mbi themelet e vjedhura amerikane.

By admin5