Von Der Leyen: Anëtarësimi, kontratë dypalëshe me meritë

“Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian nuk është një rrugë me një kalim, por një kontratë dypalëshe ku merita është kushti kryesor,” ky ka qenë mesazhi i prerë i Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von Der Leyen.

Ajo bëri të qartë se rregullat janë të njëjta për të gjithë dhe se besueshmëria e procesit varet nga zbatimi i reformave.

“Mund vetëm ta konfirmoj këtë sepse, dua të them, është shumë e rëndësishme që në vitin 2020 ne kemi rinovuar metodologjinë për procesin e anëtarësimit. Ky është një grup rregullash të qarta mes nesh dhe vendeve kandidate, ku të dyja palët mbështeten. Është një kontratë me dy anë. Nëse jeni një vend kandidat, ka reforma të vështira që duhen bërë. Ne presim që ata të ecin përpara vetëm nëse i realizojnë këto reforma”, tha Von Der Leyen.

Por Presidentja e Komisionit Evropian thotë se vendimi u takon shteteve anëtare të unionit.

“Në fund, është një vendim politik i të gjitha shteteve anëtare, sepse vendimi për anëtarësim duhet marrë me unanimitet, por rruga përpara, procesi i bazuar në meritë, duhet respektuar që të dyja palët të dinë se ku të mbështeten”, përfundoi Von Der Leyen.

Von der Leyen vlerësoi përpjekjet e jashtëzakonshme të Ukrainës, e cila pavarësisht luftës ka dëshmuar vullnet të hekurt për integrim.

By admin5