Gjatë historisë, Shqipëria i humbi shumë territore, por shqiptarët që mbetën jashtë kufijve të saj nuk hoqën dorë nga e drejta për liri, dinjitet dhe vetëvendosje. Përmes rezistencës politike dhe kombëtare, si dhe luftërave çlirimtare, ata ndërtuan institucione dhe krijuan realitete të reja shtetërore.
Historia na ndau padrejtësisht në disa shtete dhe na la jashtë kufijve të Shqipërisë londineze. Por shqiptarët e atyre territoreve nuk u pajtuan kurrë me fatin që u ishte caktuar.
Kosova, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në luginën e Preshevës, në Mal të Zi janë pjesë e një historie të përbashkët për liri, barazi dhe dinjitet kombëtar.
Me sakrifica, qëndresë politike dhe luftë çlirimtare, shqiptarët arritën të krijojnë institucione, të fitojnë të drejta dhe të ndërtojnë shtetësinë e tyre.
Ne nuk ia kemi marrë asgjë Shqipërisë; përkundrazi, përmes qëndresës sonë, i kemi dhënë asaj siguri, dinjitet dhe një hapësirë të re.
Sepse Shqipëria nuk përfundon aty ku mbarojnë kufijtë e saj shtetërorë; ajo jeton kudo ku jetojnë shqiptarët!
28 Nëntori, Dita e Flamurit dhe e Pavarësisë së Shqipërisë, nuk është vetëm kujtim i një akti historik, por simbol i përjetshëm i bashkimit tonë kombëtar, i sakrificës për liri dhe i betimit për ta ruajtur identitetin shqiptar, kudo që jetojmë.
Shqipëri, ti na ke bërë një nder të madh: na ke dhënë emrin shqiptar, një emër që nuk e dorëzuam kurrë, pavarësisht kufijve, okupimeve dhe sakrificave. Ne, me qëndresën tonë, kemi dëshmuar se jemi pjesë e pandashme e kombit shqiptar.
Sot, Shqipëri, detyra jote historike është të na prijshë drejt Evropës, duke qenë zëri dhe përfaqësuesja e interesave të të gjithë shqiptarëve. Ne nuk kërkojmë privilegje, por dinjitet, barazi dhe një të ardhme të përbashkët evropiane.
Gëzuar 28 Nëntorin, festën e flamurit tonë kombëtar!


