Sulmet ukrainase godasin rafineritë ruse, përpunimi i naftës në nivelin më të ulët të 20 viteve

Rusia po përballet me rënien më të madhe të përpunimit të naftës në dy dekadat e fundit, si pasojë e sulmeve të përsëritura ukrainase ndaj rafinerive në vend. Sipas një analize të publikuar nga Bloomberg, kapacitetet e përpunimit kanë rënë ndjeshëm, duke sjellë vështirësi edhe në furnizimin me karburante në tregun vendas.

Të dhënat e kompanisë norvegjeze Rystad Energy tregojnë se më 23 nëntor rafineritë ruse përpunonin nga 2,6 deri në 2,7 milionë fuçi naftë bruto në ditë. Ky nivel është rreth 50 për qind më i ulët krahasuar me atë të 30 tetorit. Sipas analistit Viktor Kurilov, shifra është edhe më e ulët se nivelet minimale të regjistruara në vitet e mëparshme.

Bloomberg raporton se që nga fundi i tetorit, forcat ukrainase kanë sulmuar të paktën 18 rafineri ruse. Disa prej tyre kanë vijuar punën me kapacitet të reduktuar, ndërsa të tjera kanë arritur të rikthejnë prodhimin brenda një kohe të shkurtër.

Megjithatë, situata mund të jetë edhe më e vështirë, pasi vlerësimet e Rystad Energy nuk përfshijnë ende pasojat e sulmeve të 25 nëntorit ndaj dy rafinerive në rajonin e Samarës. Analiza e kompanisë bazohet në imazhe satelitore, lëvizjet e cisternave të naftës dhe të dhënat për furnizimet.

Problemet në rafineritë ruse kanë filluar të ndihen edhe në tregun e brendshëm. Sipas Shërbimit Federal të Statistikave të Rusisë, çmimi mesatar i benzinës u rrit me 0,5 për qind gjatë javës 17-23 nëntor. Kjo është rritja më e madhe javore që prej fillimit të shtatorit.

Për të përballuar mungesat e mundshme, autoritetet ruse kanë vendosur kufizime për eksportin e benzinës dhe karburantit për avionë, kanë lejuar importet dhe kanë nisur rishpërndarjen e karburanteve drejt rajoneve më të prekura.