Shqipëria reagon ndaj deklaratës së ministres serbe për “spastrimin etnik” të Kosovës

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, i ka reaguar ministres serbe, Snezhana Paunoviq, e cila, përmes një deklarimi fashist, tha se do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën” sikur të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit.

“Po të isha Sllobodan Millosheviqi, do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998, dhe kjo është deklarata më e ashpër që e kam bërë ndonjëherë në jetën time”, tha Paunoviq.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar kryediplomati i Shqipërisë, Ferit Hoxha, i cili tha se normalizimi dhe relativizimi i një prej krimeve të luftës është tronditës dhe një fyerje e rëndë për viktimat e luftës.

“Relativizimi dhe normalizimi i një prej krimeve më të rënda kundër njerëzimit, krime të dënuara nga historia, nga drejtësia ndërkombëtare dhe nga vetë ndërgjegjja njerëzore, bien ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Evropa e sotme. Ato minojnë përpjekjet për pajtim dhe bashkëpunim, ushqejnë mosbesimin dhe urrejtjen, si dhe rihapin plagë që ende nuk janë shëruar”, ka shkruar, ndër të tjera, Hoxha në reagimin e tij.

Deklarata e plotë:

Deklarata e një anëtari të qeverisë së Serbisë, që shpreh publikisht keqardhje që në Kosovë nuk është kryer një spastrim etnik edhe më i madh, është e papranueshme, tronditëse dhe një fyerje e rëndë për viktimat e luftës.

Relativizimi dhe normalizimi i një prej krimeve më të rënda kundër njerëzimit, krime të dënuara nga historia, nga drejtësia ndërkombëtare dhe nga vetë ndërgjegjja njerëzore, bien ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Evropa e sotme. Ato minojnë përpjekjet për pajtim dhe bashkëpunim, ushqejnë mosbesimin dhe urrejtjen, si dhe rihapin plagë që ende nuk janë shëruar.

Askush nuk mund të ndërtojë besim duke rikthyer hijet më të errëta të së kaluarës, aq më pak duke lartësuar politika dhe figura që mbajnë përgjegjësi për tragjedi, vuajtje dhe krime që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e rajonit tonë siç është “kasapi i Ballkanit”.

Procesi i normalizimit dhe i pajtimit, për të cilin Kosova, Serbia dhe i gjithë rajoni ynë kanë aq shumë nevojë, kërkon para së gjithash përgjegjësi, reflektim dhe guxim për t’u përballur me të kaluarën.

Ai nuk mund të ndërtohet kurrë mbi deklarata që justifikojnë apo lartësojnë politikat që sollën aq shumë dhimbje e shkatërrim, por vetëm e vetëm mbi të vërtetën, respektin për viktimat dhe angazhimin e sinqertë për një të ardhme të përbashkët evropiane.

By admin7