Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale ndaj 18-vjeçares P.A. nga fshati Llojan i Komunës së Likovës, si dhe ndaj dy të miturave nga Kumanova, të moshës 14 dhe 15 vjeç, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “dhunë”, sipas nenit 386, paragrafi 3 të Kodit Penal.
Sipas policisë, më 13 mars 2026, rreth orës 18:00, të dyshuarat thirrën një vajzë 14-vjeçare nga shtëpia e saj. Më pas e bindën të hynte në një hapësirë pranë qendrës sportive “Sokolana” në Kumanovë.
Siç njoftuan nga MPB, atje, së pari e fyen, e më pas e sulmuan fizikisht, duke e filmuar të gjithë incidentin me telefon celular.
“Pas kryerjes së dhunës, të dyshuarat e kanë kërcënuar të miturën që të mos e raportonte incidentin dhe të mos fliste për videon e regjistruar, duke e kërcënuar se përndryshe do t’i ndodhte diçka edhe më e keqe”, thanë nga MPB.
Prokuroria Publike Themelore pa përgjigje lidhur me atë se përse nuk ka marrë masa më të ashpra ndaj 18 vjeçares P.A, e cila edhe pse ndiqet penalisht për veprën penale të dhunës, i është caktuar masa ku obligohet të paraqitet vetëm një herë në javë para organeve kompetente, ndërkohë ndaj dy të miturave të tjera nuk është caktuar asnjë detyrim.
Rastet e dhunës mes bashkëmoshatarëve në Maqedoni kanë shënuar rritje gjatë periudhës së fundit.



