Si iu foli Kurti për Europën mërgimtarëve: Një gjerman i ka thënë një mikut tim a më merr në Kosovë nëse na sulmon Rusia

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ndarë një rrëfim të pazakontë gjatë një takimi me mërgimtarë dje, duke lënë të kuptohet se koha ka ndryshuar aq shumë, sa që tani edhe gjermanët mund ta shohin Kosovën si vend strehimi.

Duke folur për ndryshimet në Europë dhe pasojat e agresionit rus ndaj Ukrainës, Kurti tregoi historinë e një mërgimtari, i cili tha se kishte shkuar në Gjermani si refugjat në vitet ’90 dhe më pas ishte ngritur në pozita të larta drejtuese në një kompani gjermane.

”Edhe në Evropën Perëndimore, ju jeni dëshmitarë që gjendja nuk është e mirë si para 30 vjetësh”, iu tha ai fillimisht të pranishmëve.

Më pas, vijoi me “shembullin”.

”E këtu po ua marr një shembull. Një mik i imi i cili është bashkatdhetar si puna juaj, ka shkuar në vitet e ‘90 dhe është ngritur në vendin e punës në nivelet më të larta të menaxhimit, ndërkaq pronari gjerman, i cili e ka atë kompani ku punon ky bashkatdhetar, mik i imi, një ditë e kishte pyetur kësisoj: i kishte thënë ‘ti ke ardhë këtu për shkak të okupimit dhe luftës në Kosovë. E tash, jemi bashkë, e ke nënshtetësinë edhe të Kosovës, edhe të Gjermanisë, meqenëse është krijuar mundësia për ta marrë apo rimarrë nënshtetësinë’, por, ai i kishte thënë – merreni me mend – ‘nëse neve në Gjermani na sulmon Rusia, a më merr ti mua në Kosovë nëse duhet të vij refugjat?’ Edhe ky i ka thënë ‘po’. Edhe miqësia e tyre ishte forcuar edhe më shumë”, tha ai, siç dëgjohet në një VIDEO të publikuar në Facebook nga gazetari Muhamet Koci.

“Ishte gëzuar pronari gjerman që ka një mik kaq të mirë shqiptar, të cilin dikur e ka pranuar në punë si refugjat, e tash Evropa vetë po e ndërron arkitekturën e sigurisë për shkak të agresionit të tmerrshëm të Rusisë, që nuk është veç në Ukrainë, por mbi Evropën, edhe mendon që, ndoshta edhe evropianit i duhet të lëvizë”, shtoi Kurti.

By admin7