Skandal në Zvicër: Zhduken 1.6 milionë franga nga fondet e industrisë së drurit!

Një skandal i rëndë financiar ka tronditur Shoqatën Zvicerane të Ndërtimit të Drurit (Holzbau Schweiz), pasi një ish-punonjëse dyshohet se ka përvetësuar rreth 1.6 milionë franga zvicerane nga fondet e destinuara për trajnimin profesional. Rasti, i cili sipas autoriteteve ka zgjatur nga viti 2022 deri në vitin 2025, po hetohet nga Prokuroria Publike e Cyrihut.

Sipas dokumenteve të brendshme të dërguara anëtarëve të shoqatës, bëhet fjalë për një “rast të dyshuar të përvetësimit serioz”, ndërsa dëmi financiar vlerësohet të arrijë në afërsisht 1.6 milionë franga. Dyshohet se fondet janë transferuar në mënyrë të paligjshme për një periudhë prej më shumë se tre vitesh pa u zbuluar.

Holzbau Schweiz është organizata ombrellë e industrisë së ndërtimit të drurit në Zvicër dhe përfaqëson rreth 1,000 kompani e punishte zdrukthëtarie në rajonet gjermanishtfolëse dhe në Ticino. Një nga misionet kryesore të saj është promovimi i arsimit profesional dhe trajnimit të specialistëve të rinj në këtë sektor.

Skandali doli në dritë vetëm gjatë kontrollit të llogarive për vitin financiar 2025. Pas zbulimit të rastit, organizata njoftoi se punonjësja e dyshuar nuk është më pjesë e stafit dhe se çështja është raportuar menjëherë tek autoritetet kompetente.

“Rasti na ka habitur, zhgënjyer dhe zemëruar të gjithëve”, thuhet në reagimin e drejtuesve të shoqatës, të cilët kanë nisur procedurat penale dhe një hetim të brendshëm për të zbuluar se si një shumë kaq e madhe mund të përvetësohej pa u vënë re për vite me radhë.

Përveç hetimeve penale, Holzbau Schweiz ka angazhuar një kompani të jashtme auditimi dhe një firmë ligjore për të shqyrtuar transaksionet dhe proceset financiare të viteve të fundit. Organizata ka bërë të ditur se po rishikon të gjitha mekanizmat e kontrollit për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme në të ardhmen.

By admin