Sonte nis festa e madhe e futbollit! Botërori historik me 48 skuadra hap siparin në Meksikë

Gati tetë vjet pasi SHBA-ja, Kanadaja dhe Meksika u përzgjodhën si organizatore të Kupës së Botës 2026, sonte nis zyrtarisht spektakli më i madh i futbollit në planet. Ky është Botërori më i veçantë në histori, pasi për herë të parë organizohet në tri shtete të ndryshme dhe me një format të zgjeruar me 48 përfaqësuese pjesëmarrëse.

Ndërsa emocionet kanë pushtuar tifozët në mbarë globin, Meksika është në qendër të vëmendjes. Kombëtarja vendase, e njohur si “El Tri”, do të përballet me Afrikën e Jugut në ndeshjen hapëse që zhvillohet sonte nga ora 21:00.

Në Botërorin e kaluar morën pjesë 32 përfaqësuese dhe u zhvilluan 64 ndeshje, ndërsa tani numri i skuadrave është rritur në 48, duke e bërë këtë edicion më të madhin ndonjëherë. Turneu do të zgjasë deri më 19 korrik dhe pritet të sjellë rekorde të reja si në pjesëmarrje ashtu edhe në shikueshmëri.

Në prag të kampionatit ka pasur zhvillime të shumta, si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Debatet rreth pjesëmarrjes së Iranit, refuzimi i hyrjes për një gjyqtar nga Somalia, temperaturat e larta në disa qytete organizatore dhe çmimet e larta të biletave kanë qenë ndër temat më të diskutuara.

Megjithatë, nga sonte vëmendja pritet të përqendrohet te futbolli. Superyje si Lionel Messi, Cristiano Ronaldo, Kylian Mbappe, Vinicius Junior dhe shumë të tjerë do të kërkojnë lavdinë në skenën më të madhe të sportit.

Mes favoritëve kryesorë për trofeun renditen Argjentina, Brazili, Spanja, Franca dhe Anglia, por historia e Botërorëve ka treguar se befasitë janë gjithmonë të mundshme.

Pavarësisht zhvillimeve politike dhe sfidave organizative që mund të shfaqen gjatë turneut, nga sonte skena i takon futbollit. Miliona tifozë në mbarë botën do të ndjekin me emocion nisjen e një Botërori që premton spektakël, emocione dhe histori të reja për t’u kujtuar.

By admin