Spotify ka ndërmarrë një nga aksionet më të mëdha në historinë e platformës, duke hequr mbi 75 milionë këngë që u identifikuan si përmbajtje “spam”, kryesisht të krijuara me inteligjencë artificiale (AI).
Sipas raportimeve, kompania ka intensifikuar luftën kundër publikimit masiv të këngëve me cilësi të ulët, të cilat synonin të manipulonin sistemin e dëgjimeve dhe pagesave për artistët, transmeton IndeksOnline
Spotify thekson se ky hap synon të mbrojë integritetin e platformës dhe të sigurojë që artistët e vërtetë të mos dëmtohen nga përmbajtja e krijuar në mënyrë automatike apo nga rrjetet që përdorin inteligjencën artificiale për të gjeneruar mijëra këngë në shkallë industriale.
Fenomeni është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, pasi mjetet e AI-së kanë bërë të mundur prodhimin e muzikës në pak minuta. Shumë prej këtyre këngëve publikoheshin vetëm për të përfituar nga sistemi i monetizimit përmes dëgjimeve artificiale.
Me këtë vendim, Spotify synon të kufizojë abuzimet, të përmirësojë cilësinë e katalogut muzikor dhe të ruajë besimin e përdoruesve dhe artistëve në platformën e saj./IndeksOnline/



