Tensionohen raportet, Balla akuzon publikisht dy figurat e VV-së: I kemi arrestuar për drogë

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i ka akuzuar publikisht dy figura të lidhura me Lëvizjen Vetëvendosje për pjesëmarrje në protestat në Shqipëri. Njëri prej tyre është deputet i zgjedhur. Tjetri një ish-anëtar i partisë, i arrestuar për trafikim të narkotikëve në Shqipëri më 2023.

Komunikimi politik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është përshkallëzuar sërish.

Ish-ministri i Brendshëm i qeverisë shqiptare Taulant Balla ka akuzuar publikisht një deputet të zgjedhur të Lëvizjes Vetëvendosje dhe një ish-eksponent të kësaj partie për pjesëmarrje në protestat në Tiranë.

Balla i ka identifikuar Egzon Azemin, deputet i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës dhe Besnik Mujecin, ish-asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës, si dy pjesëmarrës nga Kosova në protestat në Tiranë. I ka quajtur “sorra”.

“Kur unë flas për sorra inkubatorësh të urrejtjes nga Prishtina dhe Tetova, të cilët maskohen si shqiponja diaspore e kam fjalen për tipa si këta në video që sigurisht nuk kanë si të jenë pro qeverisë së Tiranës”, ka shkruar Balla në një postim në Facebook të mërkurën.

Njëri prej figurave më të larta të Partisë Socialiste, partisë në pushtet në Shqipëri, ka përmendur rastin e arrestimit në Shqipëri për trafikim të substancave narkotike të njërit prej tyre: Besnik Mujecit.

“Normal janë kundër Edi Ramës. Edhe kundër meje, pse jo. Sepse i kemi arrestuar me 11 mijë doza drogë”, ka thënë ministri i Brendshëm.

Besnik Mujeci, ish-asamblist në Kuvendin Komunal në Prishtinë, ishte arrestuar në vitin 2023 nën dyshimin për trafikim të substancave narkotike. Arrestimin e kishte kryer Policia e Shtetit, institucion që bie pikërisht nën ombrellën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të cilën e asokohe e udhëhiqte Balla.

Pas incidentit, Mujeci ishte përjashtuar nga partia dhe i ishte hequr mandati prej asamblisti në Asamblenë e Prishtinës.

Në dhjetor të vitit 2024, ai ishte shpallur fajtor për trafikim të narkotikëve. Ishte dënuar me katër vjet e tetë muaj burgim. Aktgjykimi ndaj tij ishte ndryshuar disa muaj më vonë.

Në gusht të vitit 2025, një gjykatë në Shqipëri e kishte liruar atë nga burgu. /Paparaci.com

By admin7