Takimi i përbashkët i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, konfirmoi edhe një herë se integrimi evropian mbetet prioritet strategjik i vendit dhe se reformat po zhvillohen në partneritet të ngushtë me Bashkimin Evropian.
Pjesëmarrja e Zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministrit për Çështje Evropiane, Bekim Sali, në këtë takim dëshmon angazhimin e VLEN-it për ta mbajtur agjendën evropiane në qendër të veprimit institucional dhe për të përshpejtuar proceset reformuese që e afrojnë vendin me Bashkimin Evropian.
VLEN është e bindur se procesi i integrimit evropian kërkon përkushtim të vazhdueshëm, vendimmarrje të përgjegjshme dhe zbatim të reformave që sjellin përfitime konkrete për qytetarët. Prandaj, zbatimi i Agjendës së Reformave dhe i Planit të Rritjes mbetet një ndër prioritetet tona kryesore, me synimin që përfitimet e këtij procesi të ndihen nga çdo qytetar përmes institucioneve më efikase, ekonomisë më të zhvilluar dhe një standardi më të mirë jetese.



