Ajo ishte zgjuar në mes të natës, morri në krah tre fëmijët e saj që flinin ende, hapi ballkonin dhe u hodh në boshllëk. Një tragjedi në Catanzaro, të Italisë ku një grua, Anna Democrito, 46 vjeçe, humbi jetën bashkë me dy nga tre fëmijët e saj: një foshnje 4-muajshe, e lindur në dhjetor, dhe një vajzë 4 vjeçe. Vajza e tretë, 6 vjeçe, ndodhet e shtruar në gjendje të rëndë në repartin e Reanimacionit të spitalit të kryeqytetit kalabrez.
Bashkëshorti ishte në shtëpi kur ndodhi gjithçka. Ai ka rrëfyer i tronditur prokurores Graziella Viscomi dhe efektivëve të policisë. Po flinte, mendonte se gruaja ishte pranë tij, kur papritur u zgjua nga zhurma e një përplasjeje. Më pas pa dritaren e hapur. Menjëherë zbriti në rrugë dhe u përpoq të ndihmonte fëmijët, i ndihmuar nga fqinjët që dolën me shpejtësi. Por për dy më të vegjlit nuk mund të bëhej më asgjë.
Gruaja punonte në një shtëpi kujdesi për të moshuar dhe në lagje njihej si e qetë, e tërhequr dhe shumë fetare. Ajo vuante nga disa shqetësime të lehta psikike. Shtatzënia e fundit e kishte prekur rëndë dhe i ishte diagnostikuar depresion pas lindjes, por ajo – sipas të njohurve – refuzonte trajtimin nga frika se do t’i merrnin fëmijët. Edhe shërbimet sociale nuk kishin marrë asnjë sinjalizim dhe nuk e kishin familjen në ndjekje.
Ajo jetonte me bashkëshortin në një lagje rezidenciale të Catanzaros, jo larg qendrës. Jeta e saj, sipas dëshmive, ndahej mes fëmijëve, shtëpisë dhe kishës së lagjes.
“Vinte shpesh në kishë, sidomos para martesës – tha prifti don Vincenzo – më pas me punën dhe fëmijët kishte më pak kohë. Kohët e fundit ishte rikthyer më shpesh, sidomos pas shtatzënisë së fundit. Kishte shumë frikë për fëmijët; i këshilloja të kërkonte ndihmë, por kishte frikë.”
Gjatë natës, në rrugën ku ndodhi ngjarja, mbërritën policia, urgjenca dhe mjekësia ligjore e universitetit “Magna Graecia”. Për nënën dhe dy fëmijët më të vegjël ishte menjëherë e qartë se nuk kishte asgjë për të bërë, ndërsa vajza 6-vjeçare u dërgua në spital në gjendje të rëndë. Hetuesit kanë kryer kontrolle në banesë, por nuk është e qartë nëse është gjetur ndonjë shënim që shpjegon arsyet e ngjarjes, të cilën hetuesit e konsiderojnë si veprim të qëllimshëm.
Në Catanzaro është shpallur zi qytetare, njoftoi kryetari i bashkisë Nicola Fiorita.
“Tani duhet të shpresojmë vetëm për vajzën dhe të kuptojmë si qyteti mund të qëndrojë pranë babait dhe vajzës tjetër. Si administratë do të jemi pranë kësaj familjeje në këtë moment shumë të vështirë.” shkruan La Repubblica.


