Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se administrata e tij po shqyrton vendosjen e një tarife prej 20% për mallrat që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke argumentuar se SHBA duhet të kompensohet për garantimin e sigurisë në një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.
Në një intervistë për Fox News, Trump u shpreh se SHBA “do të paguhet për ruajtjen” e ngushticës, ndërsa shtoi se Uashingtoni mund të marrë një rol edhe më të madh në administrimin e saj.
“Ne do ta mbajmë ngushticën dhe ndoshta do ta drejtojmë atë. Nuk mund të pritet që ta bëjmë këtë falas. Për shumë vite e kemi mbrojtur pa pagesë, por tani do të paguhemi për këtë. Bëhet fjalë për shumë para”, deklaroi Trump, shkuan A2CNN.
Komentet e presidentit amerikan vijnë në një kohë kur tensionet mes SHBA-së dhe Iranit janë përshkallëzuar sërish, pas shkëmbimeve të reja të sulmeve që kanë dobësuar armëpushimin e përkohshëm të arritur në muajin qershor.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga korridoret më strategjike të energjisë në botë, pasi përmes saj kalon rreth 20% e tregtisë globale të naftës. Pas deklaratave të Trump, çmimet e naftës shënuan rritje, ndërsa tregjet financiare reaguan me rënie.



