Vdes një 37-vjeçar pasi u ther me thikë në Mitrovicë, arrestohet i dyshuari

Një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur si pasojë e një sulmi me thikë që ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Mitrovicë.

Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 22:00, autoritetet kanë pranuar informatën se në Spitalin Rajonal të Mitrovicës ndodhej një person i lënduar me mjet të mprehtë. Mjeku kujdestar ka konfirmuar se viktima, mashkull 37-vjeçar, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.

Reklame

Policia bën të ditur se në të njëjtin rast është lënduar edhe një person tjetër nga i njëjti i dyshuar. Pas trajtimit fillestar në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, ai është dërguar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa sipas stafit mjekësor gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet kompetente policore, të cilat kanë kryer ekzaminimet dhe veprimet e nevojshme hetimore.

Me urdhër të prokurorit për krime të rënda, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Policia ka arrestuar të dyshuarin, një mashkull 31-vjeçar, ndërsa është sekuestruar edhe thika me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar./IndeksOnline/

By admin7