Vdes personi që kishte ra në koma nga goditja me grusht

Një rast i rëndë në Ferizaj ka marrë epilog fatal pas afro një viti, ku një person ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra nga një sulm fizik, mëson Sinjali.

Ngjarja kishte ndodhur më 26 maj 2025 rreth orës 19:20 në rrugën “Hamzë Jashari”, ku pas një mosmarrëveshjeje, i dyshuari Fabian Selman, rreth 22 vjeç, dyshohet se e kishte goditur me grusht në kokë viktimën Agzim Krasniqi, rreth 62 vjeç.

Si pasojë e goditjes, viktima ishte rrëzuar në tokë dhe kishte pësuar lëndime të rënda në kokë, duke përfunduar në gjendje kome. Pas ngjarjes, i dyshuari ishte larguar nga Kosova drejt Shqipërisë dhe që nga ajo kohë ndodhet në arrati.

Sipas zhvillimeve të fundit, më 30 prill 2026 rreth orës 02:00, viktima ka ndërruar jetë në spital, ku po trajtohej që nga dita e incidentit.

Me këtë zhvillim, rasti nga “Lëndim i rëndë trupor” është rikualifikuar në “Lëndim i rëndë trupor me pasojë vdekje”.

Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për autopsi, ndërsa hetimet janë intensifikuar për kapjen e të dyshuarit që vazhdon të jetë në arrati.

Rasti mbetet nën hetime.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

By admin1