Reshjet intensive dhe të pandërprera që nga mëngjesi i hershëm sot, kanë shkaktuar disa vështirësi në qarkullim rrugor në Ferizaj, por gjendja, sipas njoftimit të komunës, është nën kontroll dhe ekipet e emergjencës janë në terren në intervenim të rasteve që janë paraqitur e po paraqiten.
Përmes një njoftimi zyrtar, komuna ka sqaruar edhe videon disasekondëshe të nënkalimit të vërshuar tek Stacioni Policor.
Sipas komunës, kjo video ka keqparaqitur gjendjen në Ferizaj.
“E vërteta është se ekipet emergjente kanë intervenuar menjëherë dhe se të gjitha nënkalimet dhe akset tjera rrugore në kompetencën lokale janë të qarkullueshme, andaj dezinformimet dhe paraqitjet e pak sekondava nga gjendja nën kushte të reshjeve intensive dhe të pandërprera nuk janë pasqyrim i drejtë i gjendjes në terren. Kushtet e tilla atmosferike do të vazhdojnë përgjatë gjithë ditës, andaj apelojmë për kujdes tek qytetarët”, thuhet në njoftim.



