Inspektorati Qendror i Punës ka reaguar pas aksidentit tragjik në Prishtinë, ku si pasojë e rrëzimit të një vinçi vdiq një punëtor rreth 20-vjeçar.
Sipas IQP-së, Subjekti në fjalë nuk ka qenë i inspektuar më parë nga Inspektorati, për shkak se punimet ndodheshin në fazën fillestare të ndërtimit, transmeton IndeksOnline.
“Sa i përket shkakut të aksidentit, në këtë fazë është ende herët të nxirret një konstatim inspektues, pasi natyra dhe rrethanat e rastit kërkojnë hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit, si dhe përgjegjësinë lidhur me zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë” thuhet në komunikatë.
Kjo është deklarata e plotë:
Aksidenti ka ndodhur gjatë montimit të një vinçi (krani) në vendpunishten e subjektit “Vëllezërit Asllani”. Si pasojë e aksidentit, dy punëtorë kanë pësuar aksident, ku njëri prej tyre ka humbur jetën, ndërsa tjetri ka pësuar lëndime trupore.
Subjekti në fjalë nuk ka qenë i inspektuar më parë nga Inspektorati Qendror i Punës, për shkak se punimet ndodheshin në fazën fillestare të ndërtimit, përkatësisht në fazën e realizimit të themeleve.
Sa i përket shkakut të aksidentit, në këtë fazë është ende herët të nxirret një konstatim inspektues, pasi natyra dhe rrethanat e rastit kërkojnë hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit, si dhe përgjegjësinë lidhur me zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë.
Inspektorët e Punës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke zhvilluar veprimet inspektuese në koordinim me institucionet kompetente.
Inspektorati Qendror i Punës shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe kolegëve të punëtorit që humbi jetën në këtë aksident tragjik, duke i uruar shërim të shpejtë të lënduarit.



