Një rast që ka tronditur opinionin publik në Maqedoninë e Veriut po merr përmasa edhe më të rënda. Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka zgjeruar hetimet kundër 26-vjeçarit Trajko B. nga fshati Dragomancë, i cili tashmë dyshohet për katër vrasje dhe dy tentativa vrasjeje ndaj grave në rajonin e Staro Nagoriçanit.
Sipas autoriteteve, bëhet fjalë për rastin e parë në vend ku një person po ndiqet penalisht si vrasës serial i grave. Viktimat ishin kryesisht gra të moshuara që jetonin vetëm, ndërsa dy prej tyre arritën t’u mbijetojnë sulmeve dhe dhanë dëshmi tronditëse para prokurorëve.
Prokurori Ljubomir Lape deklaroi se ekspertiza psikiatrike ka konfirmuar se i dyshuari ishte plotësisht i vetëdijshëm për veprimet e tij dhe nuk vuan nga ndonjë sëmundje mendore.
Sipas hetimeve, seria e krimeve nisi në janar të vitit 2025 dhe vazhdoi për më shumë se një vit. Prokuroria thotë se i dyshuari e njihte mirë zonën dhe besohet se kishte njohuri edhe për disa nga viktimat.
Rasti filloi të zbulohej pasi disa gra të moshuara nga rajoni folën publikisht për sulmet brutale. Njëra prej tyre, 85-vjeçarja Rosanka nga Çelopeku, rrëfeu se një person i panjohur i hodhi batanije mbi kokë dhe tentoi ta mbyste brenda shtëpisë së saj.
“Ma shtrëngoi fytin që të mos bërtisja. Më goditi në kokë dhe më mbyste për një kohë të gjatë”, deklaroi ajo.
Një tjetër e mbijetuar, 83-vjeçarja Slobodanka Arsovska, arriti të shpëtonte duke e mashtruar sulmuesin se djali i saj ndodhej në katin e sipërm të shtëpisë.
Hetimet zbuluan edhe pamje nga kamerat e sigurisë, ku shihet një person duke lëvizur rreth shtëpive dhe duke kërkuar mënyrë për të hyrë brenda.
Ndërkohë, Prokuroria ka ngritur kallëzime penale edhe ndaj dy mjekëve ligjorë të spitalit të Kumanovës për “kryerje të pakujdesshme të detyrës”, pasi disa nga viktimat fillimisht ishin shpallur se kishin vdekur nga shkaqe natyrore.
Banorët e fshatrave përreth Staro Nagoriçanit vazhdojnë të jetojnë në frikë. Dyert mbyllen më herët, dritat qëndrojnë ndezur deri vonë dhe pyetja që po shqetëson të gjithë është: sa viktima pati para se dikush ta kuptonte se në zonë po vepronte një vrasës serial?


