Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka hedhur poshtë raportet se Beogradi do t’i japë fund udhëtimit pa viza për qytetarët rusë, duke riafirmuar lidhjet e ngushta të vendit me Moskën pavarësisht luftës së vazhdueshme në Ukrainë.
Komentet erdhën pasi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, foli mbi raportet se Serbia mund të heqë regjimin pa viza me Rusinë, duke paralajmëruar se vendime të tilla zakonisht janë reciproke. Ambasadori i Moskës në Beograd, Aleksandr Botsan-Kharchenko, argumentoi se marrëveshja mbetet shumë e dobishme për Serbinë.
“Kjo është hera e parë që dëgjoj për një gjë të tillë”, tha Vuçiç gjatë një paraqitjeje në emisionin Ćirilica të TV Prva. Udhëheqësi serb tha se kishte kontaktuar personalisht Ana Brnabiç, presidenten e Asamblesë Kombëtare, për të pyetur nëse ndonjë iniciativë e tillë kishte hyrë në procesin legjislativ.
«Ka shumë njerëz që, përpara zgjedhjeve, presin mbështetje nga Federata Ruse dhe po përpiqen në çdo mënyrë të thonë gjërat më të këqija për ne», tha Vuçiç. «Nuk flitet për këtë, dhe as nuk do të merret një vendim i tillë. Edhe nëse do ta merrnin, ai do të anulohej menjëherë».
Marrëdhëniet e ngushta të Beogradit me Moskën, po i ndërlikojnë gjithnjë e më shumë ambiciet e tij për t’u bashkuar me BE-në.
Serbia u bë kandidate zyrtare e BE-së në vitin 2012 dhe hapi bisedimet e pranimit në vitin 2014, por kërkesa e saj për anëtarësim ka ngecur që atëherë. Në prill, Brukseli tha se Serbia rrezikonte të humbiste deri në 1.5 miliardë euro nga fondet e BE-së për shkak të shqetësimeve për prapambetjen demokratike dhe lidhjet e saj me Moskën.
Në maj, Brnabić u ankua se BE-ja kishte ndryshuar rregullat e saj për zgjerimin që nga shpërthimi i luftës së Rusisë në Ukrainë./ Politico.


