Presidenti i Serbisë Aleksaandar Vuçiq sërish komentoi aleancën ushtarake Kosovë-Shqipëri- Kroaci. Por me këtë rast më shumë akuzoi Zagrebin zyrtar.
Ai e bëri këtë në intervistë për tablodin “Informer” të Beogradit.
“Kurrë nuk do të marrim as përgjigje se përse e themeluan atë aleancë? Thuajeni pse e bëtë këtë? Nga qarqe informative kemi informacione se aleanca u formua me iniciativën e Zagrebit. Ata kanë insistuar për këtë. Pse?! Pse ruajnë njerëzit, të cilët në Serbi kanë shkaktuar kaos dhe që ngarkohen edhe për shkak të terrorizmit?”, tha Vuçiq.
Kosova, Shqipëria dhe Kroacia marsin e vitit të kaluar nënshkruan një deklaratë për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Sipas deklaratës së fushës së mbrojtjes të arritur vitin e kaluar, janë katër fusha kryesore të bashkëpunimit, që përfshijnë promovimin e bashkëpunimit në fushën e aftësive mbrojtëse dhe industrisë mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve të përbashkëta, adresimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë, si dhe ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme dhe të plotë për integrimin euroatlantik.
Ky pakt i mbrojtjes thotë se të tri shtetet do të bashkëpunojnë për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore.
Deklarata për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, e nënshkruar në mars të vitit të kaluar u cilësua si “aleancë ushtarake dhe sulmuese kundër serbëve dhe Serbisë” nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Nënshkruesit e deklaratës thonë se ajo nuk është kundër askujt, as ndaj Serbisë, teksa ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, tha në fund të janarit të këtij viti se e ka ftuar Serbinë që të bëhet pjesë e këtij pakti, por Beogradi nuk i është përgjigjur kësaj ftese.
Kroacia dhe Shqipëria janë pjesë e aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s, aty ku Kosova shpreson të anëtarësohet.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, veç tjerash, Prishtina, Tirana dhe Zagrebi parashohin të bëjnë blerje të përbashkëta të armatimit nga Shtetet e Bashkuara.

