Kriza rreth zgjedhjes së presidentit ka prodhuar edhe një zhvillim të pazakontë politik. Përkrahjen e figurave të Vetëvendosjes për Lumir Abdixhikun. Kryetari i LDK-së, dikur ndër shënjestrat kryesore të sulmeve politike të pushtetit, po merr lëvdata pikërisht nga kampi i Albin Kurtit. Afrimi në diskurs nisi pas marrëveshjes ndërmjet VV-së dhe LDK-së për ta mbështetur Bekim Sejdiun si kandidat për president të Kosovës. Marrëveshja hasi pengesë kur gjashtë deputetë të LDK-së dolën kundër saj, duke e vënë në pikëpyetje sigurimin e votave të nevojshme. Kurti e quajti Abdixhikun “mik”. Pas takimit, ai e paraqiti kreun e LDK-së si bashkëbisedues për situatën brenda dy subjekteve.
“Nga Abdixhiku jam informuar për situatën aktuale në subjektin e tij, e njoftova edhe unë për diskutimet me grupin parlamentar të VV-së, na duhet një mbledhje e re për të parë mundësitë që të ecim përpara”
Ai konfirmoi se kandidatura e Sejdiut mbetet në tryezë dhe e vlerësoi faktin se negociatat kishin përfunduar me marrëveshje.
“Propozimi është Bekim Sejdiu, jemi marrë vesh, negociatat kanë rezultuar shyqyr me marrëveshje. Ta shohim tash se çfarë mund të bëjmë më tutje”, tha ai.
Mbështetja më e drejtpërdrejtë erdhi nga deputeti i VV-së, Nezir Kraki, i cili e përgëzoi publikisht qasjen e Abdixhikut ndaj çështjes së presidentit.
Kraki shkroi:
“Lumir Abdixhiku me te drejte deshi t’ia rikthente LDK-se rolin qe i takon, dmth rolin e nje partie qe ua mundeson gjerave te behen, jo qe i bllokon ato.”
Ai e lidhi këtë qëndrim me nevojën që Kosova të ketë institucione, ndërsa kundërshtimet brenda LDK-së i vendosi përballë kësaj logjike.
“Natyrisht, edhe interesat personale mund te kuptohen ne politike por logjika e komitave duhet te refuzohet”.
Në valën e përkrahjes u përfshi edhe Elvis Hoxha. Ai shpërndau një video të Abdixhikut pasi ky fajësoi deputetët e tij për zgjedhjet eventuale.
Ky veprim bie në sy për shkak të historikut të Hoxhës, i cili më herët kishte shpërndarë edhe sulme të ashpra kunër tij.
Një lëvdatë tjetër erdhi nga Fatos Geci, i cili tha se kishte ndryshuar mendim për Abdixhikun dhe për qëndrimin e tij aktual.
Geci shkroi:
“Por ajo që e vërtetova është se Lumir Abdixhiku nuk është siç kam menduar. Për fat të mirë, jam i befasuar nga qëndrimi dhe këmbëngulja e tij burrërore.”
Për VV-në, ai po paraqitet si politikani që tentoi ta zhbllokonte procesin institucional dhe ta çonte deri në fund marrëveshjen për presidentin.
Nga rival dhe objekt sulmesh, Abdixhiku është kthyer, së paku për momentin, në figurën që përfaqësuesit e VV-së po e veçojnë për siç e quajnë ata “përgjegjësi politike”.



