Zgjedhjet nuk i ndalën pushimet: Mijëra kosovarë drejt bregdetit shqiptar, mbi 9 mijë kaluan Morinin

Ndërsa qytetarët e Kosovës po i drejtohen kutive të votimit këtë të diel, mijëra të tjerë kanë zgjedhur që fundjavën ta kalojnë në bregdetin shqiptar.

Fluksi i udhëtarëve drejt Shqipërisë ka qenë i dukshëm gjatë fundjavës, megjithëse më i ulët krahasuar me fundjavat e zakonshme të sezonit veror.

Sipas të dhënave të Policisë Kufitare dhe Migracionit, rreth 9 mijë shtetas nga Kosova kanë hyrë në territorin shqiptar vetëm gjatë orëve të para të mëngjesit të së shtunës dhe të dielës përmes Pikës së Kalimit Kufitar në Morinë.

Hamza fton qytetarët të votojnë: Sot vendoset për katër vitet e ardhshme

Shifrat tregojnë se Shqipëria vazhdon të mbetet destinacioni i preferuar për pushimet e fundjavës për qytetarët e Kosovës, edhe në një periudhë kur vendi po zhvillon proces zgjedhor.

Megjithatë, krahasuar me fundjavat e muajit maj, numri i hyrjeve gjatë fundjavës së parë të qershorit është më i ulët. Kjo lidhet kryesisht me zgjedhjet në Kosovë, të cilat kanë bërë që një pjesë e qytetarëve të qëndrojnë në vend për të ushtruar të drejtën e votës.

Pavarësisht ndikimit të procesit zgjedhor, statistikat e turizmit tregojnë një trend të fortë rritës të vizitorëve nga Kosova drejt Shqipërisë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit, gjatë muajit maj Shqipëria priti 321.714 vizitorë nga Kosova, ose 15 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Këto shifra konfirmojnë rëndësinë e madhe që tregu kosovar ka për turizmin shqiptar, veçanërisht në prag të sezonit veror, kur bregdeti shqiptar mbetet zgjedhja kryesore e mijëra familjeve për pushimet e tyre.

By admin