100 autoambulanca të reja për institucionet shëndetësore në Maqedoni

Ministria e Shëndetësisë, në përputhje me konkluzionin e seancës së fundit të Qeverisë, ka shpallur tenderin publik për blerjen e 100 autoambulancave të reja me pajisje të avancuara mjekësore për institucionet shëndetësore publike në të gjithë vendin, njoftoi MSH, përcjell TV21. Vlera e përgjithshme e investimit është 461.250.000 denarë, ndërsa aktualisht është në fuqi afati ligjor për dorëzimin e ofertave.

“Furnizimi i 100 autoambulancave të reja do të rrisë ndjeshëm kapacitetin e sistemit shëndetësor për reagim në raste urgjente dhe do të mundësojë ndërhyrje më të shpejtë dhe më efikase, si dhe transport të shpejtë dhe në kohë të pacientëve drejt institucioneve përkatëse shëndetësore. Për automjetet është parashikuar pajisje mjekësore e avancuar, dhe shpërndarja e tyre në institucionet në të gjithë vendin siguron mbulim më të mirë në të gjitha zonat, veçanërisht në zonat rurale”, ka sqaruar ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, thuhet në njoftim.

Ky investim, shton MSH, është pjesë e një procesi më të gjerë për forcimin thelbësor të sistemit të reagimit shëndetësor në situata krize, përmes modernizimit të shërbimit të urgjencës mjekësore dhe rritjes së kapacitetit operativ për një përgjigje të shpejtë dhe të organizuar të sistemit shëndetësor.

By admin2