“Përfshirja e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një mision si Gaza është një hap i madh për Kosovën, kjo tregon që kemi arritur një nivel ku partnerët tanë kanë besim tek ne dhe na shohin si pjesë të zgjidhjes, jo si vend që vetëm kërkon siguri”, kështu shprehet ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, për dislokimin e trupave të FSK-së në Gazë, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.
Mehaj, në një intervistë për Dukagjinin, thotë se Kosova duhet të japë kontribut në sigurinë ndërkombëtare dhe se Forca e Sigurisë së Kosovës i plotëson standardet për misione të tilla, madje dhe në disa drejtime i tejkalon.
“FSK-ja është instrument i diplomacisë ushtarake. Përmes misioneve të saj dërgon mesazhe të qarta politike, ushtarake dhe diplomatike: Kosova është e gatshme të kontribuojë dhe të qëndrojë krah për krah me aleatët”, thotë Mehaj për Dukagjinin.
Ish-ministri Mehaj vlerëson se misione si kjo në Gaza edhe pse me rrezikshmëri të lartë e zonë në konflikt lufte mund t’i sjellin përfitime të mëdha FSK-së e Kosovës, pasi sipas tij, ndihmon edhe në përshpejtimin e anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“Këto misione sjellin përfitime konkrete pasi rritet përvoja e trupave, forcohen lidhjet me partnerët dhe testohen kapacitetet tona në praktikë. Kosova e ka një qëllim të qartë – anëtarësimin në NATO. Dhe kjo arrihet duke qenë prezent, duke kontribuar dhe duke treguar në terren që jemi të gatshëm”.
“Në të njëjtën kohë, politika shtetërore duhet ta shfrytëzojë këtë momentum dhe të intensifikojë angazhimin me shtetet mos-njohëse brenda NATO-s dhe Bashkimi Evropian, për të lehtësuar rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit sa më të shpejtë në NATO”, shprehet Mehaj.
Si një ushtarak që ka shërbyer në misione paqeruajtëse në Irak, Afganistan, Çad dhe Afrikë Qendrore në kuadër të trupave norvegjeze, Mehaj nuk lë pa përmendur edhe përgatitjen psiqike të trupave të FSK-së për këtë mision.
“Gjatë angazhimit tim, kam vendosur theks të madh në këtë aspekt edhe në Kosovë – duke përfshirë ekipe mjekësore dhe psikologjike për mbështetje të vazhdueshme sepse jo vetëm pjesëtari i misionit, por edhe familja e tij ka nevojë për përkrahje. Rehabilitimi, pushimi, ndjekja profesionale dhe ndarja e përvojave janë thelbësore për ta përballuar atë që është kaluar në terren”, thotë Mehaj.
Kujtojmë se deputetët e Kuvendit të Kosovës, më 17 prill, miratuan kërkesën e Qeverisë që FSK-ja të marrë pjesë në operacion paqeruajtës ndërkaq tre ditë më vonë, më 20 prill, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka autorizuar dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gazë, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.
Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.
Megjithatë, ende nuk dihet se kur saktësisht do të ndodhë dislokimi i trupave dhe sa do të jetë numri i tyre.
Por, kjo nuk është hera e parë që FSK-ja dislokohet jashtë vendit. Më 2021, ajo mori pjesë në një mision në Kuvajt në bashkëpunim me forcat amerikane, ndërsa më 2022 në Ishujt Falkland, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar.
Përveç misioneve jashtë vendit, FSK-ja ka marrë pjesë edhe në operacione të kërkim-shpëtimit dhe misione të tjera me karakter humanitar.
INTERVISTA E PLOTË:
RTV Dukagjini: Si e vlerësoni, si ish-ministër i Mbrojtjes, përfshirjen e trupave të FSK-së në mision në Gaza si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese?
Armend Mehaj: Përfshirja e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një mision si Gaza është një hap i madh për Kosovën, kjo tregon që kemi arritur një nivel ku partnerët tanë kanë besim tek ne dhe na shohin si pjesë të zgjidhjes, jo si vend që vetëm kërkon siguri.
Që në fillim kam pasur një qëllim të qartë: Kosova duhet të japë kontribut në sigurinë ndërkombëtare. Për këtë arsye kemi nisur dislokimet e para në histori – në Kuvajt, në Ishujt Falkland, në Turqi – dhe kemi ndihmuar edhe Shqipërinë në situata emergjente.
Këto hapa kanë qenë të domosdoshëm për ta vendosur Kosovën si partner serioz dhe të besueshëm.
RTV Dukagjini: A mendoni se Forca e Sigurisë së Kosovës i plotëson standardet për misione ndërkombëtare në zona me rrezik të lartë si Gaza?
Armend Mehaj: Po. Forca e Sigurisë së Kosovës i plotëson standardet dhe në disa drejtime i tejkalon.
E gjithë kjo vjen nga puna serioze ndër vite trajnimet, disiplina dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me partnerët.
Standardet nuk provohen në dokumente, por në terren. Dhe jam i bindur që Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme për misione të tilla.
RTV Dukagjini: Çfarë roli duhet të kenë partnerët ndërkombëtarë në garantimin e sigurisë së trupave të FSK-së në një mjedis si Gaza dhe si duhet të koordinohet vendimmarrja në raste emergjente?
Armend Mehaj: Në një mjedis si Gaza, roli i partnerëve është vendimtar. Komanda e përbashkët dhe koordinimi i qartë janë thelbësorë për sigurinë dhe suksesin e misionit.
Është shumë e rëndësishme që vendimmarrja të jetë e shpejtë dhe zinxhiri komandues i qartë.
Po ashtu, këto misione tregojnë në praktikë nëse ne mund të punojmë realisht bashkë – jo vetëm në teori, por në situata konkrete.
RTV Dukagjini: Sa të rëndësishme janë misionet ndërkombëtare për FSK-në e sidomos një në një zonë konflikti sikur në Gaza?
Armend Mehaj: Përvoja në terren nuk zëvendësohet me asgjë. Aty mësohet gjithçka – nën presion dhe në situata reale.
Kam insistuar që FSK të përfshihet sa më herët në misione, sepse vetëm kështu ndërtohet përvoja e vërtetë dhe partneriteti real me aleatët.
Këto misione sjellin përfitime konkrete: rritet përvoja e trupave, forcohen lidhjet me partnerët dhe testohen kapacitetet tona në praktikë. Kosova e ka një qëllim të qartë – anëtarësimin në NATO. Dhe kjo arrihet duke qenë prezent, duke kontribuar dhe duke treguar në terren që jemi të gatshëm.
Në fund, nuk duhet harruar edhe aspekti human. Populli i Gazës ka nevojë për paqe dhe stabilitet. Edhe kontributi ynë, sado i vogël, ka rëndësinë e vet.
FSK-ja është instrument i diplomacisë ushtarake. Përmes misioneve të saj dërgon mesazhe të qarta politike, ushtarake dhe diplomatike: Kosova është e gatshme të kontribuojë dhe të qëndrojë krah për krah me aleatët.
Në të njëjtën kohë, politika shtetërore duhet ta shfrytëzojë këtë momentum dhe të intensifikojë angazhimin me shtetet mosnjohëse brenda NATO-s dhe Bashkimi Evropian-it, për të lehtësuar rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit sa më të shpejtë në NATO.
RTV Dukagjini: A mund të ndani pak nga përvoja juaj nga misionet në zona me rrezikshmëri të lartë dhe si prisni të jetë përvoja për trupat e FSK-së?
Armend Mehaj: Përvoja nga misionet në zona shumë rezike më ka mësuar disa parime thelbësore që nuk mund të mësohen vetëm në teori. Në terren, gjithçka bëhet reale ,dhe aty kupton sa e rëndësishme është përgatitja, besimi dhe kontrolli i vetes.
Para së gjithash, përgatitja është vendimtare. Një mision nuk fillon ditën që nisesh, por shum muaj më herët.
Për FSK-në, përgatitjet duhet të jenë të strukturuara dhe intensive, shpesh për rreth 6 muaj, ku trajnohen rolet konkrete, skenarët dhe reagimet në situata të ndryshme. Sa më mirë të përgatitesh, aq më i qëndrueshëm je në terren.
Një element shumë i rëndësishëm është kuptimi i kulturës dhe mjedisit ku shkon. Duhet të njohësh vendin, popullin, mënyrën e jetesës, fenë dhe traditat. Edhe njohja bazike e gjuhës bën diferencë të madhe. Kjo të ndihmon të krijosh respekt dhe të shmangësh keqkuptime që mund të kushtojnë shumë në një mision.
Bashkëpunimi me aleatët është thelbësor. Në mision, nuk ka “ne” dhe “ata” – ka vetëm një ekip. Duhet të ndërtosh besim të plotë, sepse në momente kritike je i varur nga njëri-tjetri. Krijohen lidhje shumë të forta, sepse çdo kush e di: je aty për shokun tënd dhe ai është aty për ty.
Një aspekt tjetër që shpesh nënvlerësohet është përgatitja psikologjike. Edhe kur je i trajnuar, reagimet në situata reale mund të jenë të papritura.
Unë kam parë raste gjatë një sulmi ne Afghanistan ku një koleg nga një shtet tjetër u bllokua plotësisht – nuk ishte në gjendje të reagonte, u “ngri” në vend.
Në atë moment, ne duhej të merrnim kontrollin e situatës: të vazhdonim mbrojtjen dhe luftimin, të neutralizonim kërcënimin dhe njëkohësisht të kujdeseshim për kolegun tonë që kishte humbur kontrollin. Këto janë situata reale, dhe duhet të jesh i përgatitur që mund të ndodhin.
Prandaj është shumë e rëndësishme analiza pas misionit dhe identifikimi i këtyre rasteve. Por mbi të gjitha, përpunimi psikologjik është kritik. Kjo nuk mbaron në terren – vazhdon edhe pas kthimit në shtëpi.
Gjatë angazhimit tim, kam vendosur theks të madh në këtë aspekt edhe në Kosovë – duke përfshirë ekipe mjekësore dhe psikologjike për mbështetje të vazhdueshme sepse jo vetëm pjesëtari i misionit, por edhe familja e tij ka nevojë për përkrahje.
Rehabilitimi, pushimi, ndjekja profesionale dhe ndarja e përvojave janë thelbësore për ta përballuar atë që është kaluar në terren. Vetëm kështu ndërtojmë jo vetëm ushtarë të fortë, por edhe njerëz të qëndrueshëm.

