Ngjarjet tragjike të 9 korrikut 1997 në Gostivar do të mbeten përgjithmonë në kujtesën e shqiptarëve. Ato përbëjnë një nga momentet më të dhimbshme të historisë sonë të afërt dhe simbolizojnë përballjen e një populli me dhunën shtetërore.
Së bashku me ngjarjet e Bit Pazarit, Ladorishtes, Reçicës së Vogël dhe raste të tjera, ato dëshmuan përdorimin e forcës dhe brutalitetit policor ndaj popullatës autoktone shqiptare. Shqiptarët, edhe pse kërkesat e tyre kanë qenë të drejta dhe legjitime, për liri, barazi dhe dinjitet në trojet e veta, për një kohë të gjatë u përballën me refuzim dhe mungesë vullneti për zgjidhje.
Historia ka treguar se askush nuk mund të ndërtojë një shtet të qëndrueshëm duke mohuar të drejtat e një populli tjetër. Përvoja e rajonit e dëshmon këtë qartë. Prandaj, respektimi i të drejtave dhe barazisë mbetet rruga e vetme drejt një të ardhmeje të përbashkët.
Në 9 korrik 1997, Kryetari i Komunës së Gostivarit dhe Këshilli Komunal vepruan në përputhje me bindjen se po ushtronin një të drejtë kushtetuese, në një kohë kur çështja nuk ishte e rregulluar qartë me ligj. Reagimi i ashpër i shtetit policor çoi në përshkallëzimin e situatës, me pasoja të rënda për qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre.
Këto ngjarje sensibilizuan më tej opinionin shqiptar dhe tërhoqën vëmendjen e faktorit ndërkombëtar. Ato ndikuan gjithashtu në zhvillimet politike të viteve që pasuan, kur një pjesë e madhe e shqiptarëve e mbështetën daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), duke e parë atë si pasojë të grumbullimit të pakënaqësive dhe padrejtësive të vazhdueshme.
Një çështje që meriton analizë është edhe roli i partive shqiptare që në periudha të ndryshme kanë qenë pjesë e qeverive. Në shumë prej ngjarjeve tragjike që kanë prekur popullin shqiptar, në qeveri kanë marrë pjesë edhe parti shqiptare. Kjo ka ngritur vazhdimisht pyetje dhe debat publik mbi përgjegjësinë e tyre politike, reagimin institucional dhe qëndrimin ndaj dhunës së ushtruar ndaj qytetarëve që përfaqësonin.
Lavdi kujtimit të të gjithë atyre që u sakrifikuan për dinjitetin, lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve. Kujtesa për 9 Korrikun 1997 mbetet një obligim moral dhe historik, që ngjarje të tilla të mos përsëriten më kurrë.



