Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së një deputeteje të VLEN-it, duke e cilësuar të papranueshme gjuhën fyese ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Nëse një deputete zgjedh ta quajë veten ‘kopuke’, kjo është çështje e saj personale. Por momenti kur në të njëjtin reagim fyen Shqipërinë duke deklaruar se atje ‘lulëzon narkotrafiku’, kjo nuk është më ironi apo humor. Ky është një ofendim i rëndë ndaj Shqipërisë, qytetarëve të saj dhe çdo shqiptari që e konsideron Shqipërinë pjesë të identitetit të vet kombëtar”, thuhet në reagim.
Nga ASH theksojnë se është e papranueshme që një përfaqësuese politike shqiptare të përdorë gjuhë që, sipas tyre, ngjan me propagandën më të ulët kundër shqiptarëve, vetëm për të mbuluar “boshllëkun politik dhe moral”.
“Kjo retorikë nuk dallon nga gjuha që për vite me radhë është përdorur për të poshtëruar shqiptarët dhe për t’i paraqitur si problem, e jo si komb me dinjitet, histori dhe kulturë”, vlerësojnë nga partia.
Më tej, Aleanca për Shqiptarët kërkon që VLEN të sqarojë publikisht qëndrimin e saj ndaj kësaj deklarate.
“VLEN duhet të tregojë qartë nëse qëndron pas kësaj gjuhe fyese apo distancohet prej saj. Heshtja në këtë rast nuk është kujdes politik, por pajtim me përbaltjen e Shqipërisë”, theksohet në reagim.
Në fund, nga ASH porosisin se shqiptarët kanë nevojë për përfaqësues me dinjitet dhe përgjegjësi kombëtare, e jo për politikanë që “ulin kokën para të tjerëve dhe ngrejnë zërin kundër të vetëve”.


