Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka akuzuar kundërshtarët politikë të kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami, se po përdorin shpifje dhe propagandë për të mbuluar, sipas tij, gjendjen në të cilën e kanë lënë qytetin.
Në një status në Facebook, Azizi ka përmendur borxhet prej 24 milionë eurosh, problemet me infrastrukturën, deponitë e egra dhe mungesën e ujit e të kanalizimit të rregullt, duke kritikuar ata që, sipas tij, sot drejtojnë akuza ndaj administratës aktuale.
“Sa herë që kryetari Bilall Kasami realizon një projekt që qytetarët e mirëpresin me entuziazëm, kundërshtarët e tij dalin me akuza banale, shpifje dhe propagandë të vjetruar, të cilës gjithnjë e më pak njerëz i besojnë”, ka shkruar Azizi.
Ai është ndalur edhe te akuzat për kërkim të 5 mijë eurove nga aktivistët për punësim, duke thënë se ato duhet të marrin përgjigjen e merituar.
Azizi ka renditur projektet që, sipas tij, po realizohen në Tetovë, përfshirë zhvillimin e Kodrës së Diellit, stadiumin, ndërtimin e bulevardeve dhe shlyerjen e borxheve.
“Kodra e Diellit po bëhet! Stadiumi po bëhet! Bulevardet po ndërtohen! Borxhet po lahen! Korrupsionit po i vjen fundi!”, ka theksuar deputeti i VLEN-it.
Ndërsa në fund Azizi ka porositur se Tetova nuk duhet të kthehet prapa, duke vlerësuar se qytetarët kërkojnë punë dhe rezultate, e jo akuza e propagandë politike.



