Mbrojtja e Artan Grubit është distancuar publikisht nga tubimi i mbrëmshëm para shtëpisë së tij, i organizuar pas heqjes së masës së arrestit shtëpiak, dhe u ka kërkuar falje qytetarëve që mund të jenë shqetësuar nga kjo ngjarje. Avokatët pretendojnë se tubimi ishte spontan, se Grubi nuk kishte asnjë rol në organizimin e tij dhe se nuk bëhej fjalë për ndonjë iniciativë politike.
Në komunikatën për opinionin, mbrojtja thekson se qytetarë, fqinj dhe miq janë mbledhur vetë para shtëpisë së ish-zëvendëskryeministrit, pasi u publikua vendimi për heqjen e arrestit shtëpiak.
“Tubimi ishte spontan, para shtëpisë së Artan Grubit, pa fjalime, pa mesazhe dhe pa simbole politike”, thuhet në reagimin e mbrojtjes.
Avokatët theksojnë se heqja e masës është rezultat i një vendimi të organeve kompetente, të marrë në një procedurë të paraparë me ligj, dhe se kjo nuk duhet të shërbejë si shkak për interpretime politike.
“Në emër të klientit tonë, u kërkojmë falje të gjithë qytetarëve që mund të jenë shqetësuar mbrëmë nga kjo ngjarje spontane, e cila zgjati disa minuta dhe mund të krijojë një imazh të gabuar në opinion”, thuhet në komunikatë.
Mbrojtja këmbëngul veçanërisht se Grubi nuk qëndron prapa tubimit dhe se mbështetja e shprehur nuk duhet të interpretohet si mesazh i tij politik.
“Artan Grubi nuk ka marrë pjesë në organizimin e tubimit dhe ai nuk përfaqëson ndonjë qëndrim apo iniciativë të tij politike”, pretendojnë avokatët e tij.
Sipas tyre, çdo shprehje e mbështetjes nga qytetarët apo grupet përbën zgjedhje personale të të pranishmëve dhe nuk duhet të ndërlidhet me mbrojtjen.
Në komunikatë bëhet thirrje edhe për respektimin e vendimeve gjyqësore dhe sundimin e ligjit, pa presione politike, interpretime personale dhe ndikim mbi procedurën.
Reagimi vjen pasi Gjykata Themelore Penale në Shkup njoftoi se masa e arrestit shtëpiak ndaj Grubit, të akuzuarit të dytë në rastin “Lotaria e Maqedonisë”, është hequr në bazë të ligjit, për shkak të skadimit të afatit maksimal prej 60 ditësh nga paraqitja e aktakuzës.
Njëkohësisht, gjykata caktoi masa kujdesi, ndër të cilat ndalimi i largimit nga vendbanimi, detyrimi për t’u paraqitur periodikisht në gjykatë dhe ndalimi i kontaktit me persona të caktuar. Mbetet në fuqi edhe sekuestrimi i pasaportës, pasi u refuzua kërkesa e mbrojtjes për kthimin e saj kundrejt garancisë.
Mbrojtja thekson se fokusi i saj mbetet te aspektet juridike të çështjes, mbrojtja e të drejtave të Grubit dhe garantimi i një procesi gjyqësor të ligjshëm dhe të drejtë.



