Mashtrim prej 21 mijë eurosh në Gostivar, 35-vjeçari pretendon se u mashtrua për ndërtimin e shtëpisë

Më 13.10.2026 në orën 19:45 në DPB Gostivar, një 35-vjeçar nga një fshat i Gostivarit ka raportuar se është mashtruar nga personi S.S. Sipas denoncimit, ata më parë kishin rënë në kontakt përmes një rrjeti social dhe kishin lidhur kontrata me shkrim për ndërtimin e një shtëpie, me ç’rast denoncuesi në disa raste i kishte paguar avancë në vlerë të përgjithshme prej 21.000 eurosh.

Siç është raportuar, personi e ka çuar në lajthitje duke i dërguar fotografi nga aktivitete të pretenduara ndërtimore, ndërsa pas një periudhe të caktuar ka ndërprerë kontaktet telefonike dhe nuk i ka kryer punët e dakorduara. Po merren masa për zbardhjen e rastit.